Nikki Glaser “thumbon” Leonardo DiCaprio-n në Golden Globes, ja si reagon aktori

TË FUNDIT

Komediania amerikane Nikki Glaser, e cila ishte prezantuese e ceremonisë së Golden Globes 2026 për të dytin vit radhazi, shkaktoi reagime dhe të qeshura në sallë me një shaka drejtuar aktorit Leonardo DiCaprio, duke iu referuar jetës së tij sentimentale dhe marrëdhënieve me gra shumë më të reja në moshë.

Gjatë monologut hapës të ceremonisë, e mbajtur më 11 janar, Glaser foli për nominimin e DiCaprio-s për rolin e tij në filmin “One Battle After Another”, duke e lavdëruar fillimisht për karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme.

“Çfarë karriere ke pasur. Role të panumërta ikonike, ke punuar me të gjithë regjisorët e mëdhenj, ke fituar tre Golden Globes dhe një Oscar,” tha ajo.

Më pas, komediania shtoi me ironi: “Gjëja më mbresëlënëse është se ke qenë në gjendje t’i arrish të gjitha këto para se e dashura jote të mbushte 30 vjeç.”

Shakaja u prit me të qeshura nga publiku, ndërsa vetë DiCaprio, 51 vjeç, u pa duke qeshur dhe tundur kokën në shenjë mirëkuptimi.

E dashura e tij aktuale, modelja italiane Vittoria Ceretti, 27 vjeçe, nuk ishte e pranishme në ceremoni atë mbrëmje, megjithëse çifti kohët e fundit ishte parë së bashku gjatë pushimeve në Saint Barth.

Momenti u bë një nga më të përfolurit e mbrëmjes në rrjetet sociale, duke shtuar edhe një herë vëmendjen rreth figurës publike të DiCaprio-s dhe stilit provokues të humorit të Nikki Glaser.