Ngatërruan datën, Mijallkov nuk sillet në gjykatë/ Lënda e tij vjetërsohet pas 4 muajve

TË FUNDIT

“Stili i jetës sime nuk është arratisja, në fakt dua të them që unë asnjëherë nuk do të arratisem edhe nëse këtë vendim e konfirmon Gjykata e Apelit, atë do ta zgjidh me vuajtjen e dënimit”- deklaronte Sasho Mijallkov.

Kështu deklaronte Sasho Mijallkov para 3 viteve kur për herë të parë u shpall fajtor në lëndën “Titanik 2” për parregullsi zgjedhore të vitit 2013. Bashkë me të, fajtor ishin shpallur edhe kreu i PDSH-së Menduh Thaçi dhe Bedredin Ibraimi. Megjithatë me shumë gjasa Mijallkov nuk do të vuaj dënimin me burg as për këtë vepër penale.

Në krye të 9 muajve pasi Penalja shqiptoi dënimet për Mijallkov dhe të akuzuarit e tjerë, Apeli i shfuqizoi dënimet me çka e riktheu lëndën në rigjykim. Derisa vepra e Mijallkov për 4 muaj rrezikon të vjetërsohet, seanca e sotme gjyqësore për këtë lëndë u anulua.

Mijallkov nga burgu i Strugës nuk u soll në gjykatën Penale. Nga burgu i Strugës thonë se mos dërgimi i Mijallkovit është gabim teknik në datat nga ana e Gjykatës Penale.

“Në institucionin tonë kemi marrë urdhër për shoqërimin e të dënuarit Sasho Mijalkov më 28.11.2022 për një seancë të caktuar gjyqësore më 12.12.2022. Kemi vepruar sipas këtij urdhri dhe e dërguam të dënuarin Mijalkov në seancë. Kjo seancë gjyqësore është shtyrë dhe më pas institucioni ynë më datë 14.12.2022 ka pranuar një kërkesë tjetër nga Gjykata Penale për të njëjtin person, por në këtë kërkesë data e seancës gjyqësore është e njëjtë me kërkesën e mëparshme, d.m.th. , 12.12.2022. Pra është e qartë se është gabim teknik.”- thonë nga burgu i Strugës.

Kjo ngatërresë krijoi përplasje mes burgut dhe gjykatës Penale. Nga kjo gjykatë thonë se burgu në Strugë ka marrë urdhër për dërgimin e të akuzuarit për seancën e sotme.

“Në lidhje me sqarimin e burgut të Strugës se urdhri ka të bëjë për datën 12.12.2022 (kur është mbajtur debati i fundit), veçanërisht është me rëndësi të theksohet se burgu të njëjtën e ka pranuar më 14.12.2022 (evidentuar nga kthimi) prandaj është e paqartë se si e kanë zbatuar urdhrin dy ditë më vonë. E aq më shumë që në gjykimin e mbajtur më 12.12.2022 në praninë edhe të të akuzuarit, avokatët e tij si dhe shërbimi shoqërues nga Burgu i Strugës është theksuar se debati i ardhshëm është caktuar për datën 22.12.2022 dhe të gjithë të pranishmit konsiderohen si të thirrur me rregull”- thonë nga Gjykata Penale.

E për të parë se ku qëndron lëshimi, Drejtoria për zbatimin e sanksioneve informoi se do të ndërmarrë masa.

“Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve do të ndërmarrë të gjitha aktivitetet që janë në kompetencë të saj dhe do të bëjë mbikëqyrje të jashtëzakonshme për të parë gjendjen faktike. Do të përcaktohet përgjegjësia dhe do të sanksionohen të gjithë ata që kanë bërë lëshime, me apo pa dashje. Publiku do të informohet më tej për mbikëqyrjen e jashtëzakonshme.”- pohojnë nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.

Për lëndën “Titanik 2”, Mijallkov ishte dënuar me 3 vite burg. Sipas aktakuzës, Mijallkov nëpërmjet liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi, që ky i fundit t’i kërkojë bashkëpartiakut Bedredin Ibraimi, anëtar në KSHZ, që të votojë për shkatërrimin e një vendvotimi në Strumicë. Seanca e ardhshme për Titanik 2 është caktuar për më 26 dhjetor.