Ngadalësohet inflacioni bazik! Mickoski sheh shenja të mira që në të ardhmen inflacioni do të jetë nën 3%

TË FUNDIT

Në gusht inflacioni bazik është më i ulët krahasuar me korrikun, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë. Edhe pse krahasuar gushti me korrikun ky inflacion është më i ulët, megjithatë në nivel vjetor mbetet i lartë. Sidoqoftë, ulja e inflacionit bazik është një shenjë e mirë për kryeministrin Hristijan Mickoski.

“Ky është një tregues i mirë se kemi ngadalësim dhe ulje të inflacionit bazik i cili ishte drejtuesi kryesor, shtytësi i inflacionit të përgjithshëm. Masat nuk janë aq intensive të cilat i bëmë, ne vendosëm edhe përkundër kritikave që i merrnim nga disa OJQ, shoqata sindikale e kështu me radhë, të udhëheqim një politikë makroekonomike shumë të kujdesshme, të bëjmë balancë mes rritjes së pagave dhe inflacionit”, u shpreh kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Mickoski theksoi se balanca do të thotë që rritja e pagave të jetë të paktën dyfish më e lartë se inflacioni. Ndryshe, sipas të dhënave të djeshme të Entit për Statistikë inflacioni në gusht krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar është 4,4 për qind. Por nuk ka ndryshim në inflacion nëse krahasohen janar – gusht me janar – korrik të këtij viti me periudhat e njëjta të vitit të kaluar. Në këto dy periudha inflacioni është 4%. Megjithatë, kryeministri pret stabilizim të rritjes së çmimeve dhe inflacioni vjetor të jetë nën tre për qind, gjegjësisht të jetë në nivelin e qëndrueshëm 2 deri në 2,5 për qind. Përveç kësaj, pret që pozitivisht në uljen e inflacionit të ndikojë edhe aksioni „Shporta shkollore“ i cili është në zhvillim. Shitësit, sipas raporteve të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, e respektojnë këtë masë.

“Mirë është. Mirë është. Po e respektojnë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Mickoski i bëri thirrje qytetarëve të mbështesin fushatën „Më e mira e Maqedonisë“ dhe të blejnë produkte vendase që të forcohet prodhimi vendas, gjë që në të ardhmen do të kontribuonte edhe për çmime më të ulëta në markete.