Nga xhepi paguajnë për shirita dhe ilaçe / Pacientët me diabet shtatë muaj pa terapi

TË FUNDIT

Për më shumë se gjysmë viti, 116 mijë pacientët me diabet luftojnë për të siguruar gleukometra, shirita dhe medikamente për të trajtuar sëmundjen. Nga Lidhja e shoqatave të pacientëve me diabet thonë se vazhdimisht premtohet, por në praktikë është gjithnjë e më e vështirë të kenë qasje në terapi dhe se presin me muaj të tërë. E nëse brenda dy javëve nuk zgjidhet problemi, paralajmërojnë se të gjithë pacientët do të dalin përpara qeverisë.

“Të gjitha kufijtë e tolerancës janë tejkaluar, mos të flasim për buxhetet familjare sa janë dëmtuar, kemi folur edhe për temën se çfarë me glukomerët. Kur ne si Lidhje kemi mundur të sigurojmë 400 aparate, nga 5 kuti me shirita, donacion për pacientët më të rrezikuar me diabet, kjo Ministri mundet shumë më shumë të sigurojë donacione dhe të sigurojë distribuim në kohë”, u shpreh Dimçe Velev, kryetar i Lidhjes së Diabetikëve.

Meqë institucionet nuk veprojnë dhe pacientët, mes të cilëve ka edhe fëmijë, presin me muaj për terapi, thonë se ndihmohen mes vete.

“Kategoria më e re, fëmijët, nuk mund të kenë qasje në insulinë, ne gjindemi ashtu që komunikojmë, ndihmohemi mes vete, kush ka shtesë, nga një dy lapsa dhe kështu gjindemi. Varet nga cilësia e shiritave, por një kuti shirita është më së paku 700 denarë për 50 shirita, krejt varet se kush sa herë bën matje, dikush një herë në ditë dhe i mjafton një kuti, mirëpo te fëmijët dhe personat me insulinë shkon deri në 4 herë në ditë. Kjo i bie shpenzim shtesë 2.000-3.000 denarë dhe kjo shkon në ngarkesë të bixhetit të familjes”, deklaroi Jordan Sinadinov nga Lidhja e Diabetikëve – Koçan.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti tha se do të angazhohet për zgjidhje afatgjate dhe se vonesat bëhen për shkak të procedurave të tenderimit.

“Vonohen tenderët, unë nuk mund të them se nuk kam faj, unë jam ministër për katër muaj dhe punoj mbi këtë, kemi vonesa në prokurimet publike dhe tenderim, nuk e di përse ka qenë kjo kështu, po kemi marrë të gjitha masat mos të ndodh e njëjta më”, tha Mexhiti.

Nga Lidhja e diabetikëve dorëzuan pesë kërkesa në Ministri të Shëndetësisë me qëllim përmirësimin e shpërndarjes në kohë të terapisë për diabet.