Zyrtarisht ende nuk ka datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve. Por, edhe përkundër asaj që partitë vazhdojnë me konsultime ndërpartiake prapa dyerve të mbyllura, ka gjithnjë e më shumë gjasa që zgjedhjet të mbahen në qershor.
Nëse Qeveria do të kërkojë vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme, do të mësohet pas seancës së Këshillit për Siguri që do të mbahet nesër te Presidenti Stevo Pendarovski. Kryeministri Oliver Spasovski nuk konfirmon, por njëkohësisht nuk e përjashton mundësinë e tillë. Megjithatë, mbetet në qëndrim se nuk duhet licituar me datën e zgjedhjeve.
-“Unë nuk dua të licitohet me data. Së pari kjo nuk është e përgjegjshme, sepse mbajtja e zgjedhjeve, tashmë disa herë theksova – varet nga përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme. Në momentin kur do të skadojë gjendja e jashtëzakonshme, kemi edhe 22 ditë për zbatim të aktiviteteve zgjedhore dhe normalisht këtë e përcakton edhe datën e zgjedhjeve”, tha Oliver Spasovski.
Nëse partitë nuk merren vesh sot apo nesër, ndërsa presidenti Pendarovski nuk e vazhdon gjendjen e jashtëzakonshme, aktivitetet e ndërprera zgjedhore do të vazhdojnë, ndërsa sipas afateve dhe dekretit të Qeverisë që janë në fuqi, zgjedhjet duhet të mbahen më 21 qershor. Profesori Lubomir Fërçkoski mendon se ka marrëveshje mes partive dhe se zgjedhjet do të mbahen në korrik. Në emisionin Click Plus në TV21 ai tha se me qëllim që të arrihet datë për zgjedhje, gjendja e jashtëzakonshme do të vazhdohet.
-“Presidenti do të ofrojë vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme me qëllim që të mbulohet kjo datë, dhe do ta caktojnë terminin diku kah mesi i korrikut”, tha Lubomir Fërçkoski, Profesor universitar.
Në të njëjtin mendim është edhe avokati Aleksandar Tortevski.
-“Presidenti Stevo Pendarovski e vendos gjendjen e jashtëzakonshme në funksion të zgjedhjeve, kjo gjë është e palejueshme”, tha Aleksandar Tortevski, avokat.
LSDM-ja do që sa më shpejtë të mbahen zgjedhjet, përkatësisht më 21 qershor, 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. VMRO-DPMNE nuk pranon zgjedhje në qershor, koalicioni ASH – Alternativë e propozon datën 26 korrik. Lëvizje Besa, duke pasur parasysh se është partner i koalicionit, e mbështet LSDM-në, ndërsa BDI-ja pa propozim konkret, ndërsa në periudhën e fundit e ka rolin e ndërmjetësuesit mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.