Nga korriku nis tren i udhëtarëve Prilep–Manastir! Së shpejti edhe transporti hekurudhor i mallrave

TË FUNDIT

Treni mes Prilepit dhe Manastirit pritet të fillojë të qarkullojë në fund të qershorit ose në fillim të korrikut, ndërsa së shpejti pritet të nisë edhe transporti hekurudhor i mallrave drejt këtyre dy qyteteve, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski. Ai theksoi se treni do të qarkullojë në orare që u përshtaten më së shumti qytetarëve, ndërsa çmimi i biletës do të jetë simbolik, rreth 150 denarë. Sipas tij, vendosja e kësaj linje hekurudhore vjen si rezultat i nevojës për një alternativë më të shpejtë transporti gjatë periudhës së ndërtimit të autostradës Prilep–Manastir.

“Duke pasur parasysh se aktualisht po ndërtohet autostrada Prilep–Manastir dhe po përdoret rruga e vjetër, e cila është në gjendjen që është, vlerësuam se do të ishte mirë të vendosnim një tren ndërqytetës. Po punojmë intensivisht me dy ndërmarrjet hekurudhore dhe me ‘Hekurudhat Infrastrukturë’ për përgatitjen e infrastrukturës, veçanërisht të kalimeve rrugore. Gjithashtu po bashkëpunojmë me ‘Hekurudhat Transport’ për të siguruar trena me frekuencë të përshtatshme. Mund të paralajmëroj se në fund të qershorit ose në fillim të korrikut, ashtu siç kemi premtuar, do të vendoset në funksion linja mes Prilepit dhe Manastirit”, tha Nikolloski