Nga java tjetër kaloni kufirin pa karatntinë? Numri i të infektuarve të rinj do ta sjellë vendimin për kufijtë

TË FUNDIT

Sipas të gjitha gjasave, nga e hëna nuk do të nevojitet test PCR negativ jo më i vjetër se 72 orë dhe deklaratë për vetëizolim prej 14 ditëve, ndërsa hyrja dhe dalja nga shteti ynë do të jetë pa kushte të posaçme. Vendimtare për sjelljen e këtij vendimi do të jetë numri i të infektuarve të rinj, ndërsa këtë fundjavë Qeveria do të vendosë për propozimin e  Komisionit për sëmundje ngjitëse.

“Këtë fundjavë do të diskutojmë për analizat e numrave të fundit të të infektuarve të rinj dhe kontaktet e tyre në kuadër të klasterave dhe mes klasterave. Kjo do të na tregojë se ku jemi për momentin në linjën epidemiologjike, kjo do të na tregojë se çfarë mund të presim, si dhe faktorin R0 (R zero) e transmetimit, dhe në bazë të kësaj do të sjellim vendim,” tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Me hapjen e kufijve në të gjithë rajonin, ministri tha se karantinat janë të pakuptimta për shkak se tashmë do të ketë qarkullim të lirë të qytetarëve, automjeteve etj.

-“Hapja e kufijve është diçka që kërkon koordinim rajonal të të gjitha vendeve të rajonit. Vlerësimi është se të gjithë kemi rrezik të ngjashëm apo të njëjtë epidemiologjik, karakteristika të njëjta gjatë valës së parë dhe karakteristika të njëjta sa i takon intensitetit, vetëm që ne jemi të parët që reaguam. Por, është shumë me rëndësi të kemi koordinim për t’i ndjekur të gjitha kontaktet, nëse është e nevojshme. Ne do të bisedojmë për hapjen e kufijve gjatë kësaj fundjave dhe do të sjellim vendim javën e ardhshme,” tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Filipçe shtoi se në çdo 2-3 ditë ka kontakte bilaterale dhe biseda telefonike me të gjithë ministrat e Shëndetësisë në vendet fqinje, siç janë Greqia, Bullgaria, Shqipëria, Kosova dhe Serbia me qëllim që t’i ndajnë përvojat dhe dinamikën e zhvillimit të rasteve të reja.

Në lidhje me atë se si do të trajtohen anëtarët e misionit të OSBE/ODIHR të cilët duhet të vijnë në vend për t’i vëzhguar zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Filipçe tha se për të gjithë qytetarët tanë dhe të huaj që vijnë nga jashtë do të vlejnë protokollet e njëjta dhe nuk do të ketë përjashtime. Mbetet dispozita e cila parasheh se mund të bëhet transit përmes vendit, respektivisht hyrje në një vendkalim dhe dalje në vendkalim tjetër me detyrim që gjatë transitit të mos dilet nga autostrada përkatëse apo rruga lokale, dhe i njëjti të përfundojë brenda maksimum 5 orëve, gjë që konfirmohet me një deklaratë të cilën shtetasit e huaj duhet ta plotësojnë në hyrje, kurse gjatë daljes nga vendi duhet t’ia dorëzojnë policisë kufitare, me qëllim që të verifikohet kohëzgjatja e transitit.