Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, njëherë edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti ka njoftuar se nga java tjetër, do të nisin punimet në rikonstruimin e plotë të disa rrugëve në këtë komunë, përcjell TV21. Mexhiti tha se për dallim nga e kaluara, Çairi tani po merr vëmendjen e duhur nga pushteti qendror.
“Nga java e ardhshme, Çairi do të shndërrohet në një kantier ndërtimi si asnjëherë më parë. Pas përfundimit të rrugës “Ferid Muradi” në Fushë Topanë, e cila do të transformohet tërësisht me një vlerë investimi prej 1 milion eurosh, fillojmë menjëherë me rikonstruksionin e plotë të disa rrugëve të tjera të rëndësishme: “Ismail Qemali”, “Metodija Mitevski”, “Mehmet Gega”, “Nikolla Malishevski”, “Xhorxhi Pop Hristov”, me një investim prej 47 milionë denarësh, këto rrugë do të marrin një pamje të re dhe moderne. Duke përfshirë asfalt të ri, trotuare bashkëkohore, ndriçim tërësisht të ri parkingje të reja, sipërfaqe të gjelbra. Anës rrugëve do të vendosen zhardinierë dekorativ dhe lule, duke i dhënë Çairit një pamje më estetike dhe të pastër. Këto rrugë që përdoren edhe nga transporti urban, do të jenë plotësisht të rinovuara dhe funksionale. Gjithashtu, nga e hëna fillon edhe rikonstruksioni i plotë i rrugës “Maksud Sadik” që çon drejt Universitetit “Nënë Tereza” “, tha mes tjerash Mexhiti.
