Më shumë se pesë milionë persona e kanë ndjekur fluturimin e fundit të mbretëreshës Elizabeta e Dytë, arkivoli i së cilës mbrëmë u përcoll nga kryeqyteti skocez Edinburg për në Londër.
Ky ishte fluturimi që ka pasur më shumë ndjekës në historinë e internetit, kumtoi ueb faqja “Flightradar24”, që i ndjekë fluturimet e linjave ajrore në mbarë botën.
Ajo njoftoi se 4.79 milionë njerëz e kanë ndjekur fluturimin përmes internetit, ndërsa një çerek milioni persona në kanalin JuTjub.
Kompania kumtoi se madje gjashtë milionë njerëz janë përpjekur ta ndjekin fluturimin në minutën e parë të fluturimit të “Boing C17A Globemaster” nga Aeroporti i Edinburgut, me çka e kanë rrezikuar stabilitetin e platformës.
“Shtatëdhjetë vjet nga fluturimi i parë i mbretëreshës me aeroplanin “BOAC Argonaut Atalanta”, fluturimi i fundit i mbretëreshës Elizabeta e Dytë është fluturimi më i ndjekur në historinë e “Flightradar24”, kumtoi drejtori për komunikime të kompanisë përmes postës elektronike.
Elizabeta e Dytë, monarkja me stazh më të gjatë në Britani të Madhe, ka vdekur më 8 shtator në kështjellën Balmoral në Skoci, ndërsa varrimi i saj do të bëhet më 19 shtator në Londër.
“Flightradar24” njoftoi se fluturimin e kanë ndjekur dyfish më shumë njerëz se rekordi paraprak, kur në gusht të këtij viti “vetëm” 2.2 milionë persona e kanë ndjekur fluturimin e kryetares së Dhomës përfaqësuese të Kongresit amerikan, Nenci Pellosi, në vizitën kontroverze në Tajvan.
