Ndërtimi i papërfunduar i interkonektorit për gaz natyror me Greqinë, ngec në burokraci dhe vonesa me para. Që nga fillimi do të shtyhet për disa muaj afati përfundimtar për kontraktorin Rapid Build, i cili për 60 milionë euro duhej ta ndërtonte deri në mars 2027. Nga 66 kilometra, është pastruar pjesa e shtegu 43 kilometra, por për pjesën tjetër rreth 23 kilometra ka probleme.
“Kemi disa parcela të diskutueshme me eksproprimin. Kemi në dy-tre vende arkeologjike dhe kemi dhjetë kilometra pyje që duhet të zgjidhen punët administrative ndërmjet investitorit dhe Pyjeve Kombëtare me kontrata që të mund të fillojë prerja e pyjeve. Kishte disa vonesa me pagesat dhe do të ketë vonesa në furnizimin e tubave. Me këtë do të shtyhet dinamika me fillimin e saldimit të tubave, dhe kështu edhe ndërtimi i përgjithshëm, d.m.th. përfundimi i projektit për disa muaj”, u shpreh Toni Karanfilovski – pronar i “Rapid Build”.
Karanfilovski thotë se shpronësimi nuk është zgjidhur për 30 deri në 40 parcela. Pagesa paraprake prej 10 për qind ka vonuar 2 muaj, gjë që ka shtyrë procesin e prodhimit dhe furnizimit me tuba. Nomagas nuk ka lidhur kontrata me arkeologë, as me Pyjet Kombëtare. Përveç 10 kilometrave pyje, ka edhe 3 lokacione arkeologjike që duhet të studiohen dhe nëse ka objekte nëntokësore ose varreza, kjo do ta shtyjë procesin deri sa të përfundojë plotësisht hulumtimi. Por sipas tij, faktori kryesor do të jetë pagesa e parave.
“Gjithçka do të varet gjatë ndërtimit nëse investitori siguron në kohë burime financiare për të paguar faturat që ndërtimi të ecë pa ndërprerje. Tani më pas na presin pagesa më të mëdha ndërsa vijnë materialet, sidomos tubat për të cilët duhet të ketë burime financiare që të paguhen faturat në kohë, gjë që mund të çojë në eventuale, nëse nuk ka burime financiare, zgjatje të projektit”, potencoi Toni Karanfilovski – pronar i “Rapid Build”.
Drejtori i ri i Nomagas, Nedim Rama, thotë se për momentin ndërtimi po ecën pa probleme të veçanta. Por që nga nënshkrimi i kontratës me Rapid Build ka pasur probleme me vonesën e pagesës paraprake, prerjen e pyjeve përgjatë shtegut, si dhe shpronësimin.
“Punojmë që pagesat e ardhshme të mos kenë bllokime dhe tërheqja e trasheve nga kredia të jetë në kohë dhe të ndjekë ndërtimin e projektit. Për prerjen e pyjeve përgjatë shtegut, para nënshkrimit jemi në kontratë me NP Pyjet Kombëtare për transportin e drurit, kjo është një procedurë qeveritare rreth 3 muaj. Për eksproprimin – nga gjithsej 550 parcela, të pazgjidhura mbeten rreth 15 parcela. Parcelat problematike janë kryesisht toka e pronarëve të ndjerë. Dhe po punohet për angazhimin e arkeologëve në tre lokacione për hulumtime arkeologjike që duhet të përfundojnë për dy muaj”, theksoi drejtori i Nomagas, Nedim Rama.
Kontrata me Rapid Build u nënshkrua në maj të këtij viti. Paratë sigurohen përmes kredive dhe granteve nga institucionet financiare ndërkombëtare. Kjo lidhje me Greqinë duhet të sigurojë gaz nga më shumë burime. Aktualisht ekziston vetëm lidhja që ka vendi ynë me Bullgarinë.
