Nga 15 tetori vaksinim në institutet e shëndetit publik

TË FUNDIT

Prej 15 tetorit, fillon vaksinimi kundër gripit sezonal. Në konferencë për media, Jovanka Kostovska nga Komisioni për sëmundje infektive pranë Ministrisë për Shëndetësi tha se vaksina do të kushtojë 400 denarë, njëjtë si vitin e kaluar.  Secili që do të marrë këtë vaksinë duhet të tregojë kujdes të shtuar kundër ftohjes dhe viruseve, ndërsa sa u përket efekteve anësore, Kostovska tha se këto vaksina nuk shkaktojnë efekte anësore përveç rritjes së temperaturës tek fëmijët, që është kaluese.

Lidhur me vaksinën pneumokokë, Kostovska potencoi kjo vaksinë është pa pagesë dhe se atë mund ta marrë çdokush, e sidomos fëmijët deri në moshën 5 vjeçare. Ajo u bëri thirrje të gjithë banorëve të Maqedonisë që të vaksinohen.

“Nga 15 tetori fillon vaksinimi kundër gripit sezonal. Në Republikën e Maqedonisë janë importuar rreth 31.000 doza të vaksinës kundër gripit. Kjo vaksinë më tepër rekomandohet për njerëzit më të moshuar, për ata me sëmundje kronike, për ata mbi 65 vjeç, e sidomos për ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, si dhe për ata me diabet. Megjithatë, ajo rekomandohet edhe për gratë shtatzëna, për punëtorët shëndetësorë dhe për fëmijët e vegjël, që kanë imunitet më të dobët. Vaksina pneumonike ose vaksina kundër streptokokut tanimë është e siguruar. Është e domosdoshme që çdo prind që dëshiron ta vaksinojë fëmijën e tij, ta bëjë këtë me këtë lloj vaksine, e cila është falas”, informoi Kostovska.