Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i qortoi gazetarët pse nuk i kanë publikuar emrat e marketeve që janë mbyllur nga Inspektorati shtetërorë i tregut edhe pse emrat e tyre janë publikuar nga Inspektorati. Thotë se masa Çmim i garantuar është zgjidhje që zbatohet në shumë vende të BE-së dhe andaj duhet që të respektohet plotësisht nga të gjithë marketet. Megjithatë në vendet tjera kjo masë ka afat më të gjatë të zbatimit, ndërsa te ne parashihet që të vlejë deri më 30 nëntor, përkatësisht pak më shumë se një muaj, andaj nuk do t’i japë rezultatet e pritura. Bekteshi paralajmëroi që nesër do të sillet vendim për uljen e çmimit të pijeve, ndërsa po bëhet analizë edhe për produktet higjienike.
“Ne çdo javë kemi seancë në Qeveri dhe kryetari i Qeverisë në përputhje me analizat që ne i dorëzojmë, së bashku vendosim nëse do të bëjmë ndonjë ndryshim të masave ekzistuese në pjesën e rritjes së afatit dhe ngjashëm. Nesër do të ketë vendim për uljen e çmimit të pijeve alkoolike dhe joalkoolike, për produktet higjienike me shumë gjasa gjatë kësaj jave do të përfundohen të gjithë konsultimet.”-deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Këto ditë janë mbyllur disa markete nga Inspeksioni i Tregut për shkak të mos respektimit të masës, për të cilën Antoni Peshev Oda ekonomike thotë nga se masa me mbylljen është drakonike dhe se marketet nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për të ndryshuar tërësisht çmimet në sistem.
“Ne do të përpiqemi ta reduktojmë problemin në një kohë logjike kur marketeve do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me masën. Nuk mendoj se dikush e ka bërë me qëllim dhe nuk duhet të abuzohet. Mendoj se masa është drakonike, e panevojshme, shkakton dëm.”- thanë Antoni Peshev, Oda Ekonomike.
Paralajmërimi për këtë vendim nuk u bë gjatë natës, paraprakisht ishin të lajmëruar dhe kishin kohë të mjaftueshme, tha ministri Bekteshi.
“Kishin afat prej pothuajse 10 ditëve që t’i bëjnë ndryshimet, për shkak se unë mbajta takime të drejtpërdrejta me zinxhirët e marketeve të mëdha, me furnizuesit dhe prodhuesit një javë para miratimit të masës në seancë të qeverisë që të nesërmen të hyjë në fuqi.”- pohoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Drejtori i Inspektorati shtetëror të tregut, Goran Trajkovski thotë se mbyllja e marketeve nga 5 ditë, është masë e mjaftueshme.
“Mbyllja është 3 deri në 10 ditë. Qëllimi ynë nuk është që t’i mbyllim të gjitha marketet në shtet, por qëllimi është që ta marrin masën me seriozitet dhe të mos lënë hapësirë, t’i rregullojnë të gjitha punët dhe t’i respektojnë vendimet. Nëse përsëri detektojmë praktika të padrejta të tregtarëve, do t’i mbyllim edhe zinxhirët e tjerë. 5 ditë mjaftojnë për këto kompani.”- pohoi Goran Trajkovski, drejtor i ISHT-së.
Sipas Trajkovskit të shtunën janë kryer mbi 50 kontrolle nga ana e ISHT-së kur u mbyllën 5 zinxhirë të marketeve ndërsa 7 u gjobitën me shumë prej rreth 7o mijë eurove.
