Nesër deputetët rikthehen në Kuvend – Badenteri pikëpyetje! Gashi: Ngërçi kërkon zgjidhje politike  jo zgjedhje

TË FUNDIT

Pas pushimit veror, deputetët rikthehen në Kuvend me agjendë të ngjeshur, por edhe me pikëpyetje mbi çështjen e Badenterin. Kryetari I Kuvendit Afrim Gashi paralajmëroi të paktën katër seanca deri në fund të muajit, ndërsa dy të parat janë caktuar për 2 dhe 11 shtator. Në fokus mbeten ligjet që kërkojnë shumicën e Badenterit, përfshirë ato për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, arsimin e lartë dhe vetëqeverisjen lokale. Gashi thotë se ligjet do të hidhen në votim, por rezultati mbetet i pasigurt për shkak të bllokadës procedurale të BDI-së. Bllokadën në Kuvend Gashi e sheh më shumë si problem politik sesa procedural dhe thotë se zgjidhja duhet të kërkohet përmes dialogut mes aktorëve politikë.

 “Kjo çështje ka më shumë dimension politik sesa procedural. Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, po përpiqem të ndërmarr të gjitha masat. Jam në kontakt me të gjitha grupet parlamentare. Po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje. Nëse çështja hyn në sferën politike, atëherë bisedohet në një nivel tjetër politik. Pajtohem se kjo çështje duhet të zgjidhet, por ua lë aktorëve politikë që ta zgjidhin”, tha Gashi.

Por a do ta çojë bllokada Kuvendin drejt zgjedhjeve? Gashi thotë: jo kaq lehtë, duke theksuar se për shpërndarjen e Kuvendit duhen 61 vota. Ai  mbron zgjedhjet e rregullta dhe paralajmëron se nuk do të lejojë që keqpërdorimi i Rregullores të kthehet në arsye për zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, ai lë të hapur derën për një vendim politik në një nivel tjetër.

 “Nuk duhet që një keqpërdorim i Rregullores së Kuvendit të shkaktojë zgjedhje të parakohshme, por kjo është një vendim politik dhe për të mund të vendoset edhe në një nivel tjetër, u shpreh Gashi.

Për ndryshimet kushtetuese, Gashi thotë se për momentin nuk ka zhvillime të reja, por Kuvendi është gati të veprojë nëse merret vendim për to. Gashi njoftoi se së shpejti në Kuvend pritet të arrijë një zgjidhje ligjore lidhur me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Ndërkohë, puna rreth Kuvendit do të shoqërohet me kufizime, pasi në muajt e ardhshëm do të ketë punime për ndërtimin e parkingut për deputetët dhe të punësuarit.