Nëntoka ruan ato që dikush dëshiron t’i fshehë! Debat në “Click Plus” për gërmimet në nekropolin e Scupit

TË FUNDIT

Hedhja e stelave si të ishin gurë të thjeshtë, është pakujdesi e arkeologëve dhe atyre që punojnë aty, u shprehën arkeologët që mbrëmë folën në ClickPlus për gërmimet dhe gjetjet që janë bërë në nekropolin e qytetit antik Scupi. Arkeologu Mexhait Pollozhani tha se shkolla arkeologjike në vend është zbehur, ndërsa arkeologët janë vetëizoluar.

Sjanë të hapur jo vetëm për komunitetin e arkeologëve shqiptarë këtu, por janë mbyllur edhe komunitetin e arkeologëve  të jashtëm. Nuk bashkëpunojnë thuajse me asnjë vend tjetër të rajonit dhe më gjerë. Nga një shkollë solide, që ka qenë shkolla ish-jugosllave që kishte ndikim këtu, tash kanë ardhur në një shkollë të mbyllur e cila i ka zvetënuar dhe janë në amulli”, tha Mexhait Pollozhani, arkeolog.

E gjithë rimorkioja e kamionit është vetëm me gurë. Nuk ka dhé dhe material tjetër dhe hajt po themi pakujdesi. Shoferi i buldozer dhe kamionit nuk kanë faj, po dikush i ka qëndruar aty. Nuk dua të dyshoj se kanë qenë arkeolog, se as nuk dua të besoj se një arkeolog e kanë bërë këtë, po kjo nuk është më pakujdesi, është abuzim dhe gjithçka tjetër”, pohoi Sali Islami, arkeolog.

Drejtori i drejtorisë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore Arjan Asllanaj e pranon se pamjet tregojnë neglizhencë të plotë, por tha se institucioni që drejton, ligjërisht nuk mund të ndalojë punët.

“Për këto pamje, është neglizhencë totale. Aspekti i përgjegjësisë, unë personalisht nuk po i iki, besoni se është Qendra për Konservim ata që po punojnë për momentin”, tha Arijan Asllanaj, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore.

Drejtori i ITShKSh-së, Skënder Asani, tha se ajo që ka ndodhur në gërmimet e Skupit antik është një etnocid, proces që ka nisur që nga koha e pushtimit serb në 1912-tën, andaj bëri thirrje që elita politike t’i kthejë sytë nga trashëgimia kulturore.

Sepse në Marrëveshjen e Ohrit, mbi 80% është trashëgimi kulturore, sepse dihet shumë mirë se ata që e kanë përpiluar këtë marrëveshje e dinin se destabilizimi i këtij shteti në të ardhmen do të ishte historia e shtetit dhe shqiptarët të mos ndihen inferiorë se po ju zhduket diçka dhe kështu të destabilizohet shteti”, pohoi Skender Asani, drejtor i ITShKSh-së.

Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa po ashtu bëri thirrje bashkëpunim më të madh mes institucioneve për çështje si kjo, ndërsa tregoi edhe për interesin e diasporës për ruajtjen e trashëgimisë.

“Edhe unë kam pasur telefonata nga mërgimtarët tanë, nga Europa e Amerika, të cilët kanë thënë – na gjeni mundësinë institucionale, nuk është problem se sa fonde, nëse duhet edhe do ta blejmë atë tokë që të mbetet e konservuar ashtu siç është”, tha Arjanit Hoxha, zëvendëskryetar Lëvizja Besa.

Debatuesit u pajtuan se duhen politika më të mira dhe përkushtim më i madh për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.