Nëntë deputetë sot dhe gjashtë të tjerë në seancën e ardhshme gjyqësore do të dëshmojnë për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. Të gjithë i ka propozuar ish-kryeparlamentari, Trajko Veljanoski.
“Konstatuam se është vepruar në mënyrë identike në seancën konstituive në vitin 2016 dhe seancën konstituive të vitit 2020, që tregon se është vepruar në bazë të Rregullores edhe nga përmbajtja e mëparshme dhe kjo e tanishme parlamentare, se kjo është në rregull dhe e drejtë” tha avokati Elenko Millanov.
Në seancën gjyqësore u paraqit si dëshmitarë edhe deputeti Zekrija Ibrahimi, i cili në vitin 2017 si vërejtje procedurale e intonoi himnin e Shqipërisë.
Millanov shtoi se në atë moment nuk ka ekzistuar mundësi që kryetari i atëhershëm i Parlamentit të shkyç mikrofonin e foltores.
Gjatë dëshmisë, koordinatori aktual i grupit të deputetëve të DPMNE-së, Nikolla Micevski, tha se nuk ka pasur asnjëfarë organizimi për protestat nga partia e tij.
“Isha i habitur nga masiviteti dhe llojllojshmëria e protestave. Nuk merrnin pjesë vetëm anëtarë të VMRO-DPMNE por edhe qytetarë që ishin të brengosur për të ardhmen e shtetit” deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski.
Dëshmitarët shtuan se partia e tyre nuk ka pasur qëndrim zyrtar në lidhje me protestat e as nuk i ka thirrur të njëjtat, secili qytetarë ka mundur të marrë pjesë.
“Si deputet nuk kam informacion se ndonjëri nga të akuzuarit të pranishëm ka dhënë udhëzime dhe se është përzier në ndonjë mënyrë në protestat” u shpreh Micevski.
Të akuzuar në rastin për organizimin e ngjarjeve të 27 prillit përveç Velanoskit janë: ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristoski dhe ish-drejtori i DSK, Vlladimir Atanasovski. Ata ngarkohen për veprën penale “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.
Në hetimin për këtë lëndë u përfshinë edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski dhe agjenti i DSK, Nikolla Boshkovski, i cili u përmend si një nga personat që ka komunikuar dhe bashkëpunuar me Ninxha. Të dy janë arratisur nga vendi. Gruevski në Hungari, ndërsa Boshkovski në Greqi, kështu që kur prokurorja Villma Ruskoska e ngriti aktakuzën, ata nuk ishin në listën e të akuzuarve dhe u kumtua se procesi për ta do të vazhdojë kur të jenë të qasshëm për autoritetet.
