Ministria e Financave e SHBA-së njoftoi se firma/nënshkrimi i presidentit Donald Trump do të përfshihet në kartëmonedhat e reja të dollarit, duke shënuar për herë të parë në histori që emri i një presidenti aktual të figurojë në to, përcjell TV21.
Sipas mediave amerikane, kartëmonedhat e para prej 100 dollarësh me firmën e re do të shtypen në muajin qershor, ndërsa më pas do të pasojnë edhe prerjet e tjera. Që nga viti 1861, në paratë amerikane tradicionalisht ka figuruar vetëm firma e sekretarit të Thesarit. Sekretari aktual, Scott Bessent, deklaroi se ky është një mënyrë për të njohur “arritjet historike” të presidentit Trump.
Ky vendim është pjesë e një trendi më të gjerë për emërtimin e institucioneve dhe simboleve sipas Trump, pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Disa objekte publike, si Qendra Kennedy në Uashington dhe aeroporti ndërkombëtar në Palm Beach, tashmë po ndryshojnë emrat e tyre në nder të republikanit. Po ashtu, një komision federal ka miratuar edhe prodhimin e një monedhe ari me portretin e presidentit, gjë që ka nxitur kritika nga një pjesë e opinionit publik për krijimin e një kulti të individit.
