LSDM ka bërë më shumë për shqiptarët sesa BDI, vlerëson kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. Ai në emisionin Click Plus tha se nëse VMRO-DPMNE dëshiron të vijë në pushtet, duhet të bëjë ndryshime.
“Kjo opozitë pa ndryshuar fjalorin ndaj shqiptarëve dhe pa ndryshuar fjalorin ndaj shumë proceseve të rëndësishme për shtetin siç është NATO dhe BE, nuk do të vijë në pushtet. Nuk mund të hyjë në pushtet”, tha Menduh Thaçi – kryetar i PDSH-së.
Sipas tij, partia e Ahmetit ka qenë atraksion për luajtjen e fazës së fundit të folklorit dhe romantizmit, si dhe keqpërdorim të Shqiptarëve.
“Për fat të keq, sjellja e tillë politike nuk arriti të dënohet nga shqiptarët. Pak fajin dhe përgjegjësinë e barti unë si konkurrent i drejtpërdrejtë i BDI, gjithë këto vite, sepse nuk arrita t’i fitoj, por sigurisht edhe të tjerët do të bartin përgjegjësi”, u shpreh kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Siç thotë Thaçi, faj nuk ka për këtë, por ndjesi për përgjegjësi dhe gabim. Thotë se gjithçka varet nga ajo se si shihet gota.
TV21: A do të hynit në koalicion në kombinimin LSDM – BDI?
Menduh Thaçi: “Jo! Me BDI jo. Me BDI asnjëherë. Ne jemi, thash para pak kohe, partia e vetme politike e cila është konkurrente e shëndoshë e BDI”.
TV21: Por ju jeni në koalicion me BDI?!
Menduh Thaçi: “Nuk kemi fuqi politike për t’i imponohemi kryeministrit ose nuk kemi numër politik. Numrat janë të tillë. Përndryshe po të kishim fuqi politike dhe matematikë me deputetët, ne asnjëherë nuk do të hynim në koalicion me BDI”.
Në zgjedhjet lokale partia e Thaçit do të garojë vetë, siç thotë ai, për të dëshmuar se sa është e fuqishme PDSH-ja. Shtoi se tani për tani nuk mendon për t’ia kthyer “shpinën” LSDM.
