Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dha një afat më konkret se kur do të nisë vaksinimi kundër Covid-19 në Shqipëri. Në konferencën e fundvitit me gazetarët Rama tha se është besimplotë që në mes të janarit, do të vaksinohen të parët mjekët e infermierët dhe më pas do vijohet me grupet e tjera siç janë mësuesit, policët dhe të moshuarit.
“Do nisim brenda janarit e unë kam tendencë të besoj që në mes të janarit ne do jemi në gjendje të nisim vaksinimin duke bërë të njëjtën gjë si të gjithë me mjekët e infermierët e duke u shtrirë me mësuesit, punonjësit e policisë e ata që janë më të moshuarit”, tha Rama.
Gjithashtu kryeministri Rama bëri me dije se qeveria e tij është në bisedime më dy kompanitë Astra Zeneca dhe Moderna.
“Jemi në diskutime edhe me Astra Zeneca edhe me Moderna dhe besoj që shumë shpejt do finalizojmë edhe marrëveshjen me Pfizer që lidhet me kapacitetet që janë në shtete të ndryshme”, shtoi Rama.
Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë ofertën e bërë nga Rusia për ta furnizuar Shqipërinë me vaksinën anti-Covid Sputnik-V. Kreu i qeverisë tha se fillimisht kishte besuar se deklarata e ambasadës ruse ishte një meme, teksa e konsideroi një provokim qesharak, duke theksuar se një ndjesë do të ishte e mirëpritur.
Rama gjithashtu u shpreh se Shqipëria është vendi që ka numrin më të ulët të vdekjeve nga koronavirusi në rajon.
