Shteti pret të paktën 2.46 milionë euro nga shitja e tre apartamenteve luksoze, ankandi publik është caktuar për 29 korrik.
Apartamentet e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në kompleksin “Panorama Residence”, të konfiskuara në rastin “Parcelat e Vodnos”, janë nxjerrë sërish në shitje. Shteti do të organizojë vizitën e apartamenteve luksoze më 16 korrik, ndërsa ankandi publik është caktuar për 29 korrik.Dy nga apartamentet janë veçanërisht të mëdha, me sipërfaqe banimi prej rreth 200 metrash katrorë secili, si dhe me tarraca prej pak më pak se 50 metrash katrorë. Sipas çmimit fillestar prej 850.000 euro, ose rreth 4.250 euro për metër katror, ankandi praktikisht do të jetë i rezervuar për milionerët.


Apartamenti i tretë është disi më i lirë, por edhe më i vogël. Ai ka një sipërfaqe prej rreth 150 metrash katrorë dhe një ballkon prej 95 metrash katrorë, ndërsa çmimi fillestar është 760.000 euro. Shteti pret të arkëtojë të paktën 2.46 milionë euro nga shitja e këtyre tre apartamenteve. Në fotografitë e publikuara nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar shihen ambiente të gjera, tarraca të mëdha, pajisje luksoze, xhakuzi në tarracë dhe pamje panoramike drejt Shkupit. Dy prej apartamenteve ishin nxjerrë edhe më herët në shitje, por tentativat për t’i shitur përfunduan pa blerës. Rreth një vit më parë, shteti arriti të shesë me sukses edhe dy apartamente të tjera të Gruevskit, të vendosura në rrugën “Bihaçka” në qendër të Shkupit.Këto prona u konfiskuan pas procedurës gjyqësore për rastin “Parcelat e Vodnos”, në të cilin ish-kryeministri Nikola Gruevski u dënua me nëntë vjet burg. Rasti kishte të bënte me përvetësimin e paligjshëm 1.3 milionë eurove nga donacionet partiake dhe përdorimin e tyre për blerjen e tokës dhe ndërtimin e pronave të paluajtshme./SllobodenPeçat

