Në Shqipëri filloi sot viti i ri akademik 2020/2021 për 130.000 studentë, nga të cilët 21.000 janë në vitin e parë.
Me rekomandim të Komitetit të ekspertëve për përballje me pandeminë Kovid-19, të paktën muajin e parë mësimi do të mbahen onlajn. Nuk dihet ende se si do të vazhdojë më tej mësimi me prani fizike të studentëve ose onlajn, pasi kjo do të varet nga situata me pandeminë në vend.
Vendimi u mor nga Komiteti për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vend ku në dy javët e fundit janë regjistruar më shumë se 4.000 të infektuar të rinj dhe 60 të vdekur nga Kovid-19, gjë që detyroi Ministrinë e Shëndetësisë të lëshojë në përdorim edhe spitalin e tretë Kovid.
Studentët ndoqën mësimin onlajn edhe në fund të vitit të kaluar akademik, kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme në vend.

“Viti i ri akademik do të jetë një sfidë e pazakontë për universitetet tona për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Kovid-19, por universitetet janë përgatitur paraprakisht në mënyrë që mësimi të fillojë dhe të zhvillohet normalisht”, tha dje ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi, duke u dëshiruar studentëve vit akademik të lumtur dhe të suksesshëm.
Për shkak të mosdakordimit me këtë vendim dhe vendimit për mbylljen e konvikteve, studentët po protestojnë para Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit.
Policia u bën thirrje studentëve që të shpërndahen në kuadër të masave anti-kovid, me të cilat ndalohet grupimi. mb/
