Në shkurt fillon vaksinimi në Maqedoni! Përmes “Termini im” do të thirren së pari grupet e rrezikuara

TË FUNDIT

Vaksina është instrument për shpëtim nga virusi korona, ndërsa te ne imunizimi fillon pas një muaji, thotë ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

 “Sipas paralajmërimit, vaksinat e para të Pfizer duhet të arrijnë në muajin shkurt dhe tani në mënyrë më intensive po i shqyrtojmë mundësitë për blerjen e vaksinës kineze. Pse? Jemi të vetëdijshëm, kompania Pfizer është kompania e parë që i fitoi dokumentet e para nga trupat rregullatorë, por megjithatë nuk mund të arrijë të dorëzojë sasitë e kërkuara në gjithë vendet e botës”, tha për TV21, Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Edhe pse vaksina kineze nuk ka marrë dritë jeshile nga BE, ministri vlerëson se vet trupat rregullator nacional dhe metodologjia e tyre e njohur për punë, janë të mjaftueshme.

 “Për momentin të gjithë vaksinat që janë në treg janë të mira, të konfirmuara, të zhvilluara në platforma të sigurta dhe nuk ka nevojë për dyshime në asnjërën vaksinë, ndërsa ne mbetemi të hapur për të shqyrtuar të gjithë opsionet”, potencoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Filipçe shtoi se jemi tërësisht të gatshëm për pranimin dhe ruajtjen adekuate të vaksinave, por kush dhe si do të udhëhiqet procesi për thirrje për vaksinim?

 “Thirrja do të zhvillohet përmes sistemit “Termini im”. Në grupin e parë janë punëtorët shëndetësor që punojnë me Kovid pacientë, më tej të punësuarit në laboratorë ku kryhet diagnostikimi dhe qytetarët mbi 70 vjeç që janë në grupin e rrezikuar në përputhje me diagnozat e tyre kronike”, shtoi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Në grupin e dytë për vaksinim janë edhe punëtorët e tjerë shëndetësorë, si dhe mësimdhënësit, gazetarët në përputhje me rekomandimet e OBSH për grupet prioritete.

Deri në fillimin e vaksinimit, medikamenti ivermektin dhe kleksan janë “shpëtimi” për qytetarët, por a janë të qasshme për të gjithë?

 “Kleksani ka me të vërtetë kërkesë të madhe në këtë periudhë, ka momente të caktuara kur rezervat zvogëlohen dhe në këtë drejtim bëhet shpërndarja e operatorëve që e sjellin. Ne edhe tani ishim në komunikim të vazhdueshëm me furnizuesit. Janë dyfishuar sasitë në dhjetorë, nga 4.500 në 8.000 dhe kjo do të ndodh edhe në këtë dhe muajt e ardhshëm”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Gjendja momentale epidemike është stabile por duhet të jemi të kujdesshëm, është decid Filipçe. Masat momentale mbeten në fuqi, ndërsa gjatë kësaj jave do të dihet nëse objektet hotelerike do të punojnë edhe pas orës 21.