Në qershor pritet të hapen çerdhet, nga nesër fillon testimi për të punësuarit

TË FUNDIT

Ka 2 muaj që çerdhet janë mbyllur për shkak të koronavirusit.

Ndonëse e mbyllur, fëmijët po lozin në kopshtin e kësaj çerdhe.

Bojanës i mungojnë shokët dhe shoqet me të cilët është shoqëruar çdo ditë në këtë kopsht.

TV21: Përse është mbyllur kopshti?

Bojana: Sepse ka koronavirus.

TV21: A të mungon kopshti dhe shokët?

Bojana: Po. Dua që sa më shpejtë të hapet kopshti.

Qeveria ka paraparë që prej nesër të testohen të gjithë të punësuarit nëpër çerdhe për sigurinë e fëmijëve. Hapja e çerdheve pritet të ndodhë në fillim të qershorit bëjnë të ditur nga QSHP.

Almedina Ismajli, gazetare:

“Skriningu përfshinë diku rreth 2000 të punësuar nëpër kopshte. Testimi do të kryhet për dy javë, e nga muaji i ardhshëm pritet që të punësuarit dhe fëmijët të kthehen nëpër çerdhe. Edhe prindërit që deri tani kujdeseshin për fëmijët do të kthehen nëpër vendet e punës”.

Institucionet shëndetësore në takimin e sotëm sollën vendim që testimi i stafit të bëhet nëpër hapësirat e çerdheve e jo nëpër punkte. Drejtori i Qendrës për shëndet publik, Arben Ziberi tha se kjo metodë është më e sigurt për edukatoret dhe punonjësit e tjerë dhe se secila Qendër e shëndetit do të zhvillojë testime nëpër komunat të cilat i përfshinë.

“Vendosëm që ne tu shkojmë të punësuarve nëpër çerdhe dhe ne të bëjmë testim direkt nëpër çerdhe. Që nesër në mëngjes ne do të fillojmë me testimin e të gjithë të punësuarve në çerdhe dhe testet do të dërgohen në ASHAM për analizë”, tha Arben Ziberi, drejtor i QSHP.

Ndryshe Qeveria ka paraparë skriningun e kategorive të rrezikuara, si punonjësit shëndetësor, të punësuarit në kopshte, stafin e shtëpisë së pleqve, pacientët me sëmundje kronike dhe pacientët në terapi biologjike.

Ekzaminimi do të bëhet me teste PCR, dhe qëllimi i testimit është të identifikojë bartësit asimptomatikë të virusit – domethënë njerëzit që janë të infektuar dhe nuk janë të vetëdijshëm sepse nuk kanë simptoma.