Në paraburgim, me prapambetje mendore! Familjarët kërkojnë drejtësi për Besijan Nuhijin

TË FUNDIT

Janë mbledhur për të protestuar para Gjykatës së Tetovës.

Këta familjarë dhe bashkëfshatarë e konsiderojnë të padrejtë vendimin për paraburgim ndaj Besjan Nuhijës, për të cilin thonë se është me prapambetje mendore dhe për këtë ka edhe raport mjekësor.


“Unë si nënë e dua djalin tim në liri, jo një njeri pa faj të qëndrojë në burg dhe ai që e ka rrahur djalin dhe i ka bërë sherr të rëndë të shëtitet i lirë. Fëmija im nuk ka qenë fëmijë që ka bërë probleme, diagnozën e ka pasur që nga i vogël, nuk di shkrim-lexim dhe ka probleme me përqendrimin. Kjo është padrejtësi, nuk ka drejtësi këtu. Katastrofë është, duart i ka të ngrëna, ai mjekrën si nxjerr, flokët i janë rritë për dy muaj, i treti muaj, djali që është, çfarë e drejte është këtu çfarë shteti jemi këtu?! – tha nëna e Besijanit.


“Ekspertiza i ka ardhur dhe kanë shkuar e kanë parë në paraburgim dhe e kanë parë se është me diagnozë, F79 prapambetje mendore”, shtoi vëllai i Besijanit.

Një bashkëfshatar protestues na tha se i gjithë fshati e di gjendjen e Besjanit, por e konsideron njeri të qetë, të sjellshëm dhe që nuk i bën dëm askujt.

“Por çfarë bëri drejtësia? E mbylli një njeri të sëmurë mendor që nuk ka as mendje për të kuptuar ndëshkimin që po i bëjnë. Ekspertiza ligjore ka thënë qartë se ai nuk mund të kuptojë përgjegjësinë ligjore, por përsëri gjykata dhe prokuroria e injoruan këtë dhe vendosën ta mbajnë të mbyllur. Kjo nuk është drejtësi, kjo është padrejtësi e pastër përderisa kriminelët janë të lirë, ndërkohë që njerëzit e pafajshëm dhe të sëmurë mendorë po burgosen për shkak të një sistemi të prishur”, potencoi Venhar Kadrija – protestues.

Besjani 37-vjeçar nga Zhelina e Tetovës mbi 2 muaj po mbahet në paraburgim nën akuzën për veprime vetëkënaqësie në prani të një të mituri. Denoncimi është bërë më 3 janar në SPB-Tetovë nga babai i të miturit, i cili ka deklaruar se një natë më parë B.N kishte dashur të kryente marrëdhënie seksuale me djalin e tij 11 vjeç. Familjarët, duke paraqitur këto fotografi, pretendojnë se denoncuesi edhe e ka rrahur Besjanin.

Për rastin, TV21 pyeti edhe në gjykatën e Tetovës nëse kanë pasur parasysh diagnozën dhe cili gjykatës ka shqiptuar vendimin, por përgjigje nuk morëm. Nga prokuroria morëm vesh se ata kanë kërkuar ndërprerjen e masës së paraburgimit, por kjo nuk është pranuar nga gjykatësi. Televizioni 21 mëson se në bazë të ekspertizës neuro-psikiatrike i akuzuari ka vlerësim për “llogaritshmëri ndjeshëm të reduktuar”.