Në një intervistë bombastike, babai i Ansu Fatit, Bori Fati, ka shpërthyer ndaj Barcelonës për mungesën e minutazhës që 20 vjeçari e ka pasur këtë sezon, dhe dëshiron që i biri i tij të largohet nga klubi nëse situata nuk ndryshon.
Pavarësisht se ka lënë pas vete fatin e keq me lëndime, Fati nuk po ka minuta të kënaqshme këtë sezon, ku shumicën e ndeshjeve i ka filluar nga banka rezervë.
Edhe në rastet që ka qenë titullar, Fati nuk ka treguar paraqitje të mirë, gjë që me siguri do të ndodhë për mungesën e vazhdimësisë dhe minutazhës nga trajneri.
Babai i Ansut mbajti një takim me drejtorët e Barcelonës, Mateu Alemany dhe Jordi Cruyff në fillim të kësaj jave për të diskutuar situatën e të birit.
Më pas, ai ka bërë publike ankesat e tij gjatë një interviste për “COPE”, teksa tha: “Ansu nuk dëshiron të largohet nga Barcelona, por dua ta shoh të ketë sukses. Nuk do të shkoj më në stadium, jam shumë i zemëruar me klubin. Pas një muaji do të takohemi me Jorge Mendes, sigurisht”.
“Më pengon fakti që Ansu luan kaq pak. Jemi duke folur për një lojtar që është me kombësi spanjolle dhe vjen nga La Masia. Ai meriton më shumë se kaq”, tha Bori Fati më tej.
Duke mos u ndalur me kaq, Bori Fati tregoi se është tejet i zemëruar me trajnerin e Barçës, Xavin.
“Nuk e di pse Xavi nuk luan me Ansun. Ai duhet të ketë arsyet e tij. Ansu nuk është i zemëruar me të, pasi që Xavi ka qenë gjithmonë idhulli i tij. Por unë, unë jam tejet i zemëruar si baba”, tha babait i Fatit.
Më tej, ai tregoi se e ka këshilluar Ansun që të largohet nga klubi gjatë verës, por se 20 vjeçari nuk po i sheh gjërat si ai dhe dëshiron që të qëndrojë te Barcelona./KP
