Në “Kodrën e Diellit” vetëm veturat që kanë zinxhirë! Në Tetovë rrugët të kalueshme me pajisje dimërore

TË FUNDIT

Pa zinxhirë në rrota të makinës nuk ka ngjitje në Kodër të Diellit në Tetovë!

Policia i lejonte ta marrin këtë rrugë vetëm ata që kishin zinxhirë, ndërsa automjetet e rënda u ndaluan të lëvizin në këtë aks.

“Gjendemi në rrugën Tetovë-Kodra e Diellit nga mëngjesi makinat e rënda janë ndaluar për qarkullim në këtë rrugë, ndërsa një patrullë e Sektorit për Punë të Brendshme lejon veturat që kanë vetëm pajisje dimërore apo zinxhirë”, raporton Senat Zylbehari, gazetar TV21.

Në qytet rrugët janë të kalueshme me pajisje dimërore. Nga komuna e Tetovës thonë se ekipet janë në terren dhe bëjnë apel që të mos dalin pa pajisje.

“Rrugët janë të kalueshme por jo në kushte normale me vështirësi, ekipet janë në teren por siç e kemi parë edhe ju vazhdimisht ka pasur reshje të borës dhe sipas paralajmërimeve të meteorologëve reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë këtyre dy tre ditëve, u bëjmë apel qytetarëve që të mos dalin pa pajisje dimërore shkaku se vetëm mund të bëjnë dëm edhe të bllokojnë komunikacionin”, shtoi Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.

Në Kodrën e Diellit qendra e skijimit është duke funksionuar normalisht. Në komunikim telefonik drejtori, Abdylgani Aliji tha se edhe përkundër reshjeve, gjithë ski-liftët janë të lëshuar dhe sezoni është duke vazhduar pa asnjë problem.