Aleanca për Shqiptarët ende e pavendosur nëse do të vazhdojë me partnerët aktual të koalicionit qeverisës ose do të pranojë ftesën e opozitës shqiptare. Ministri i Shëndetësisë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Fatmir Mexhiti thotë se partia e tij është për të ardhme në Frontin Europian. Ai shtoi se këtë ua kanë rekomanduar edhe partnerët ndërkombëtar.
“ASh është vendimtare se cili me kë do të koalicionojë, është e vërtetë se vendos për të ardhmen e shtetit. Ne jemi për të ardhme në bashkimin në Frontin Europian, do të shkojmë drejt dhe të mos humbim kohë më tepër. Këtë na e preferojnë edhe dashamirët tanë ndërkombëtarë, edhe ne këtë do ta bëjmë, Aleanca do të vendos”, tha Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë.
I pyetur nëse kjo i bie që në zgjedhjet parlamentare ASh-ja do të garojë bashkë me BDI-në, Mexhiti tha se kjo nënkupton që do të garojnë me frontin e optimizmit.
Me Frontin evropian domethënë me BDI-në?
“Do të thotë se ne jemi me Frontin Europian, me frontin e së mirës, me frontin e asaj që është optimizëm, që është e ardhshmja e Maqedonisë”, shtoi Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë.
Nga ana tjetër nuk ndalen ftesat e opozitës shqiptare ndaj Aleancës për Shqiptarët, që të dalë nga Qeveria dhe ti bashkohet frontit opozitar. Këtë dje e përsëriti dje edhe Bekim Qoku nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila u bashkua me LEN. Qoku tha se si ish-anëtar i ASH-së, “e di shpirtin opozitar” të kësaj partie.
“I bëj ftesë edhe partive të tjera politike, shoqërisë civile, i bëjë ftesë edhe këtu hapur Aleancës për Shqiptarët t’i bashkohet këtij ndryshimi sepse edhe unë si ish-anëtar i asaj Aleance e ndjej dhe e di mentalitetin edhe shpirtin opozitar të Aleancës dhe e di që ajo vendin e ka në këtë radhitje këtu”, pohoi Bekim Qoku, Lëvizja Vetëvendosje.
Por para disa ditëve në Gostivar pati takim mes Taravarit dhe Ahmetit ku u tha së është folur për mundësitë e së ardhmes. Ndryshe tani për tani vendimi i kryesisë së ASH-së është të shkohet në zgjedhje, por nga atje thonë se vendimi përfundimtar do të merret në kuvendin e partisë, mbledhja e cila ende nuk po mbahet.
