Edhe në 24 orëshin e natës së dymbëdhjetë me rradhë, në Dibër nuk ka raste të reja me Kovid-19, me çka numri mbetet 49.
Në të njëjtën kohë rritet numri i personave të shëruar të cilët ishin në shërim shtëpiak. Dy ditët e fundit ai numër arrin 15, me çka numri i tërësishëm i atyre të cilët e kanë fituar betejën me virusin e rrezikshëm u rrit në 31 persona.
Megjithatë, siç porositi kryetari i komunës së Dibrës Hekuran Duka në konferencën e sotme për shtyp, beteja me armikun e paparë nuk është fituar, dhe duhet rreptësisht edhe më tutje të respektohen të gjitha masat dhe rekomandimet.
“Edhe pse Dibra dhe Qendër Zhupa e kaluan gjendjen e krizës, popullata nuk duhet të sillet me triumfalizëm, sepse vazhdon problemi me krizën e virusit të rrezikshëm. Qytetarët duhet edhe më tutje të qëndrojnë të disiplinuar dhe t’i respektojnë masat qeveritare”, tha Duka, i cili udhëheq edhe me Shtabin operativ të krizave.
Gjendja e sigurisë në rajonin e dy komunave, të cilat janë nën kompetencë të Repartit për punë të brendshme Dibër vazhdon të jetë stabile.
Duka informon se edhe më tutje nga donatorë të ndryshëm arrin ndihmë humanitare për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, e cila shpërndahet pa kurrfarë probleme.
