Në Çair ndërtohet pa leje në orët e vona/ Ganiu: Garantoj që nuk do të lejohet, do të nisim kallëzim penal

TË FUNDIT

Pas raportimit të TV21 për ndërtimin pa leje të një objekti në Çair, kryetari i kësaj komune erdhi në studio për të informuar se çfarë po ndodh konkretisht. Sipas tij investitori është i panjohur dhe fshehurazi po bëhet përpjekje të ngritët aty një ndërtesë e re.

“Herën e parë kur kemi shkuar, për shkak se ndërtimi ka filluar në orët e vona të mbrëmjes dhe kemi marrë informata nga qytetarët, menjëherë jemi mundu me inspektoratin të dalim dhe atje kur kemi shkuar kemi parë njerëz me mekanizëm duke punuar dhe duke i bindur inspektorët se kanë leje. Ua konfirmojë edhe njëherë se nuk kanë leje”- deklaroi Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

 

 

Ganiu e ndali njëherë ndërtimin, por TV21 shkoi sërish në terren dhe pa se punimet aty kanë vazhduar.

 

“Unë u garantoj të gjithë qytetarëve se këtu objekt përveç se është me plan detal, aty nuk ka objekte kolektive por individuale nuk mund të ndërtohet në këtë parcelë. Nga ana tjetër gjithashtu iu falënderoj edhe juve si medium, edhe pse ne në vëzhgim kemi qenë çdo ditë duke e përcjellë situatën te ky objekt. Mirëpo dje pamë se sërish disa punëtorë kanë filluar brenda. Sot sektori për urbanizëm ka mbajtur mbledhje tek ne, dhe ka vendosur aty kushdo që të punon por edhe ndonjë kompani e para që do të paraqitet atje, edhe pse nuk paraqitet pronari ne do të ngrejmë kallëzim penal ndaj atyre që do të kapen atje. Aty është objekt i egër, pa leje ndërtimi dhe garantoj që nuk do të ndërtohet asgjë.”-tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

 

 

Rasti është paraqitur edhe në polici.  TV21 u drejtua edhe në MPB për të marrë më shumë informacione, por çuditërisht nga atje kanë konstatuar se personi juridik që ka kryer punimet posedon lejet e ndërtimit.

 

“Pas daljes së punonjësve policorë nga SP Bit Pazar në lokacionin e treguar, është konstatuar se personi juridik që ka kryer punimet ndërtimore posedon të gjitha lejet e ndërtimit.”- thanë nga

MPB-ja.

 

Ndryshe ky ndërtim ka 1 muaj që ka filluar ndërsa më së shumti janë ankuar disa pleq të cilët banojnë në shtëpinë e pleqve. Ata janë të revoltuar sepse po ndërtohet shumë afër dhe se do tua zë ditën.