Në periudhën prej vitit 2003 deri 2022 në botë janë vrarë 1.668 gazetarë, mesatarisht nga 80 në vit, tregojnë të dhënat të cilat sot i ka publikuar organizata Reporterë pa kufij (RSF).
Në raportin thuhet se Iraku dhe Siria konsiderohen për vende më të rrezikshme për profesionin e gazetarit. Këto dy vende të përfshira nga lufta, me gjithsej 578 gazetarë të vrarë vetëm gjatë 20 viteve të fundit, paraqesin një të tretën nga numri i përgjithshëm i gazetarëve të vrarë në botë në atë periudhë, para Meksikës (125), Filipineve (107), Pakistani (93), Afganistani (81) dhe Somalia (78).
Nga gazetarët e vrarë, 95 për qind janë burra.
Gjatë dy dekadave të fundit, vitet më të “errëta” ishin 2012 dhe 2013, me 133, respektivisht 142 gazetarë të vrarë, më së shumti në luftën në Siri.
Numri i gazetarëve të vrarë sërish filloi të rritet në vitin 2022, me ç’rast 58 gazetarë janë vrarë derisa e kanë kryer punën e tyre, në krahasim me 51 në vitin paraprak, si rezultat të luftës në Ukrainë. Në Ukrainë, tetë gazetarë i kanë humbur jetët e tyre nga fillimi i pushtimit rus në shkurt.
Ukraina është në vendin e dytë nga vendet më të rrezikshme për gazetarët në Evropë, pas Rusisë, ku për 20 vite janë vrarë 25 gazetarë.
RSF njofton se prej se Vlladimir Putini ka ardhur në pushtet, sulmet, duke përfshirë edhe ato vdekjeprurëse, ndaj lirisë së mediumeve në atë vend janë sistematike, duke e përmendur vrasjen e Ana Politkovskaja më 7 tetor në vitin 2006.
Me tetë gazetarë të vrarë, Franca është e katërta në listën e zezë në Evropë, pas Turqisë.
Në nivel global, edhe pse raportimi nga konfliktet e armatosura është shkak për shumë vrasje, gjatë 20 viteve të fundit më shumë gazetarë janë vrarë në zona paqesore sesa në ato të luftës, për shkak të hetimeve të tyre për krim të organizuar dhe korrupsion.
Kontinenti amerikan (Meksika, Brazili , Kolumbia, Hondurasi), ku gjenden pothuaj gjysma e gazetarëve të vrarë në vitin 2022, është “pa kontestueshëm më i rrezikshmi për medumet sot”, njofton Reporterë pa kufij.
