Vendosja e ndriçimit publik në lagjen 172 në Tetovë ka revoltuar banorët e kësaj lagje. Sipas tyre vendosja e shtyllave të ndriçimit publik në këtë pjesë të rrugës është vendosur në mes të trotuareve që pamundëson edhe lëvizjen e lirë të këmbësorëve dhe sidomos të nënave që duhet të kalojnë me fëmijë. Banorët thonë edhe se në këtë lagje nuk është problemi i vetëm që kanë pasi që edhe pse kjo rrugë u ndërtua e re ata nuk kanë kanalizim publik dhe futja e ujit në gypa është bërë shkak që sa herë kemi të reshura më të mëdha të shiut uji del në rrugë.
“Mos rregullimi i duhur i shtyllave për shkak se kjo rrugë nuk është e përfunduar në tërësi, rruga e vjetër ishte më e gjerë se kjo rrugë tani dhe kjo lagje akoma nuk ka kanalizim, dhe një vijë uji që kalon në këtë rrugë sa herë kemi vërshime apo të reshura më intensive të shiut ai ujë del në rrugë”, tha një banor.
“Kjo është turp nuk është shtyllë, shtylla shkon rrethin që të mos pengohen këmbësorët si të pengohen këmbësoret vlera e asaj është zero”, u shpreh një tjetër banor.
“ Është e turpshme nuk mund të kalojnë njerëzit apo fëmijët me karroca që hapet shkolla në Reçicë dhe këtu është dashur të gjendet një zgjidhje se kjo është e turpshme çka po ndodh në lagjen 172 , mungon kanalizimi rruga është ngushtuar nuk është zgjeruar kur kemi vërshime i gjithë uji del në rrugë, përgjegjësi nuk merr komuna as qeveria. Kjo laje është çelsi i qeverisë pasi që kjo rrugë të çon në selinë e BDI-së dhe askush nuk përkujdeset”, shtoi një banor tjetër.
Nga Komuna e Tetovës thonë se vendosja e ndriçimit publik në këtë rrugë është duke u bërë në bazë të projektit themelor.
“Vendosja e ndriçimit publik në rrugën 172 është bërë sipas projektit themelor, dhe është investim në vlerë prej 1.3 milion denarësh që paraqet investim me qëllim rritjen e kualitetit të jetës së qytetarëve në këtë zonë. Vlen të theksohet se ne afat prej 4 viteve ky është investimi i dytë kapital në këtë rrugë pas asfaltimit të rrugës dhe ndërtimit të trotuareve”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Komuna e Tetovës gjatë vitit 2021 ka hapur një tender për ndërtimin dhe rikonstruimin e ndriçimit publik me vlerë prej 5 milionë e 900 mijë denarë ku me datë 1 prill e ka fituar kompania Bosh nga Tetova.
