Ndërtesa dhe rrugë te Salla “Boris Trajkovski”! Komuna e Karposhit: Rrugë po, por jo edhe objekte banimi

TË FUNDIT

Nuk duan të rrënohet tarraca e pishinës Karposh, kartingu dhe fushat për tenis dhe të mbijnë ndërtesa të reja dhe rrugë e cila do të lidhet me rrugën “8 Shtatori” te Qendra Sportive “Boris Trajkovski”. Për këtë arsye, banorët e Karposhit dolën në protestë para godinës së komunës për ta kundërshtuar Planin e ri të Detajuar Urbanistik.


“Me këtë PDU parashihet një rrugë e cila do t’i shkatërrojë fushat për tenis dhe qendrën për karting. Komuna e Karposhit në mes të gushtit, në mes të pushimeve dhe në prag të zgjedhjeve cakton prezantim publik, duke menduar se banorët e Karposhit nuk do ta vërejnë këtë dhe nuk do të reagojnë”, tha Oliver Zafirovski. 

Biseduam edhe me qytetarët, të cilët thonë se me këtë rrugë do të shkatërrohet sipërfaqe prej 10.000 metrave katrorë.


“Duam që Boris Trajkovski të jetë qendër kulturore dhe sportive, e jo të prishet me rrugë dhe ndërtesa. Duam të mbetet ashtu siç është”.

“Protestoj për shkak të xhunglës urbane që ndodh në Komunën e Karposhit, sepse në planin e paraparë nuk është ashtu siç doli tani”.

“Vetëm edhe betonimi na mungon… me të vërtetë kjo nuk është në rregull”. 

Nga komuna e Karposhit reagojnë ndaj akuzave. Thonë se tentativa e VMRO-DPMNE-së për ta parandaluar prezantimin publik ka dështuar, edhe pse për dy ditë me radhë e “ushqen” anëtarësinë e saj dhe i gënjen qytetarët se kompleksi sportiv do të rrënohet.


“Prezantimi publik për Draft-PDU-në për pjesën e qytetit 3 04, blloku 5, kaloi në atmosferë të qetë dhe demokratike. Shërbimet kompetente në Komunën e Karposhit, nga Sektori për Urbanizëm dhe Planifikim në mënyrë të detajuar dhe të thjeshtë shpjeguan se Draft-PDU-ja në fjalë nuk parasheh rrënimin e Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”, thonë nga Komuna e Karposhit.

Ndryshe, gjatë prezantimit publik secili qytetar veç e veç kishte mundësi të informohet për gjithçka që ka të bëjë me propozimin e ri për PDU.