Ndërrojnë jetë dy persona, 49 raste të reja! 41 persona janë shëruar, gjithsej 685 raste aktive!

TË FUNDIT

Dy persona kanë ndërruar jetë nga koronavirusi. Një burrë 73 vjeç, pensionist, nga Prilepi i cili më 1 prill është hospitalizuar në repartin infektiv në Shkup dhe një 76 vjeçar nga Klinika për hematologji. Numri i përgjithshëm është 49.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e shëndetësisë, ka rënie të numrit të të infektuarve me koronavirus në Shkup , por ka rritje në Kumanovë. Kështu që në 24 orët e fundit, në Shkup janë evidentuar 13 raste, e në Kumanovë 14. Ndërsa në jug-lindje të Maqedonisë, në Prilep, janë regjistruar gjithsej 58 persona, me çka është tejkaluar numri në Dibër, që është 49 të infektuar.

Në klinikën infektive në Shkup janë pranuar edhe 3 pacientë. Gjithsej janë të hospitalizuar 68 pacientë, prej të cilëve 15 janë në oksigjen, ndërsa 8 në ventilim mekanik.

Në spitalin e Manastirit janë pranuar edhe 5 pacientë. Në Shtip, momentalisht në spital janë 13 pacientë, ndërsa 13 të tjerë mbikëqyren nga ana e autoriteteve shëndetësore që mjekohen në kushte shtëpiake.

Ministri i shëndetësisë thotë se në periudhën paraprake janë bërë kontrolle në 49 institucione shëndetësore dhe se askund nuk është vërejtur mungesë e pajisjeve për personelin shëndetësor.

“Me përgjegjësi pohoj se asgjë nuk mungon, ndërsa ka sasi të mjaftueshme në rezerva. Javën e kaluar është bërë inspektim në 79 institucione shëndetësore nga ana e Inspektoratit shtetëror shëndetësor dhe sanitar dhe askund nuk është vërejtur mungesë e pajisjeve. Në mënyrë shtesë, po realizohet furnizim për plotësimin e rezervave për çka është publikuar ftesë për furnizim publik në ueb faqen e Ministrisë së shëndetësisë edhe atë për: 12.000 masa n95 ose standard të ngjashëm, 20.000 skafandër, 500.000 maska kirurgjike, 5.000 vizerë dhe 1.200 skafandër gome”, tha Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë. 

Në 24 orët e fundit është bërë numër rekord i testimeve, gjithsej 586.