Ndërroi jetë vajza 7-vjeçare në Spitalin e Tetovës! Familja e varros, Prokuroria jep urdhër për obduksion

TË FUNDIT

Një vajzë shtatëvjeçare nga fshati Çellopek i Tetovës ka ndërruar jetë pas trajtimit spitalor në Spitalin Klinik të Tetovës. Fëmija ishte pranuar në repartin e pediatrisë të shtunën, më 20 shtator, në orën 20:40.

Drejtori i spitalit Erzen Elezi para gazetarëve tregoi për terapitë dhe trajtimin që i është bërë vajzës.

 “Gjendja ka qenë stabile deri të nesërmen. Është bërë të nesërmen përsëri një laborator dhe janë dhënë infuzionet e nevojshme për të arritur në gjendje stabile. Gjatë terapisë pacientja nuk ka mundur të gëlltisë, është kontrolluar nga ana e pediatrit përsëri. Në atë moment kanë konsultuar mjekun kujdestar të ORL-së për kontroll. Është dërguar pacienti deri tek mjeku i ORL-së, ku gjatë marrjes së sekretit pacientja nuk ka treguar shenja të lëvizshmërisë. Në momentin kur mjeku I ORL-së e ka vërejtur se nuk ka reagim e ka thirrur mjekun anesteziolog dhe e kanë dërguar në reanimacon ku pacientja ka ndërruar jetë”, tha Erzen Elezi – Drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.

Sipas drejtorit menjëherë mbrëmë është thirrur edhe komisioni disiplinor për këtë rast dhe janë duke u marr të gjithë masat që rasti të zbardhet. Elezi bëri tw ditur se ky është rasti i dytë,  që pacientët vijnë në spital me terapi të jashtëligjshme nga mjeku amë.

 “Të gjithë pacientët na vijnë në spital pasi kanë marrë terapi të jashtëligjshme nga ana e mjekëve të përgjithshëm në ambulanca private. Këtu kemi të bëjmë me diçka të jashtëligjshme. Apeloj tek inspektorati i punës, ministria e shëndetësisë dhe Fondi Shëndetësor që të merren masa rigoroze ndaj këtyre mjekëve të cilët i marrin terapitë e jashtëligjshme dhe pa raport mjekësor që nuk kanë të drejtë t’i japin dhe mandej vijnë në gjendje të rënduar në Spitalin e Tetovës. Vajza nuk ka pasur raport që ka marrë terapi nga mjeku amë,  nuk ka drejtë të jep terapi dhe është e jashtë ligjshme të japë terapi”, shtoi Drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.

Varrimi i vajzës sot u bë në fshatin Çelopek të komunës së Bërvenicës, ndërsa familjarët nuk kanë pranuar që të kryhet obduksioni. Nga prokuroria bëjnë me dije se urdhëri për obduksion u dha mbrëmë në formë verbale, ndërsa gjatë ditës së sotme edhe në formë të shkruar.

 “Pas konstatimit të shkakut të incidentit, prokurori dje lëshoi një urdhër verbal për autopsinë e trupit të vajzës së ndjerë, ndërsa në mëngjesin e sotëm edhe një urdhër me shkrim”, thonë nga PTHP Tetovë.

Deri më tani mbetet e paqartë nëse do të respektohet urdhri i prokurorit për obduksion, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, apo rasti do të mbyllet vetëm me një komision disiplinor nga ana e spitalit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.