Ka ndërruar jetë akademiku nga Kosova, Nexhat Daci, përcjell TV21. I ndjeri ka shërbyer si Kryetar i Kuvendit dhe edhe si President në detyrë i Kosovës. Ai ishte një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Dardanisë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti, akademik. Lindi në Tërnoc të Bujanocit. Shkollimin e kreu në vendlindje dhe Leskovc (1960). Studimet e rregullta për kimi i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1966), ku mbaron edhe studimet pasuniversitare (1968). Një kurs pasuniversitar e kreu në Liezh, Belgjikë (1970).
Tezën e disertacionit të Doktoratës e mbrojti në Universitetin e Zagrebit (1973). Studimet e pasdoktoratës i vazhdoi në Angli, në Universitetin e Bradfordit (1974). Në vitin 1966 u zgjodh asistent në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, pastaj ligjërues, profesor inordinar dhe në vitin 1984 merr titullin profesor ordinar. Ka bërë shumë udhëtime studimore në vende të ndryshme të botës. Është anëtar i disa institucioneve dhe asociacioneve ndërkombëtare, ndër të cilat edhe i Shoqatës Kimistëve Amerikanë (1985), i Akademisë Europiane për Çështje të Mjedisit në Tubingen, në Gjermani dhe Londër (1987).
Në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 anëtar i rregullt, dhe më pas bëhet sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i saj (1999–2002). Në vitin 2014 u zgjodh anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve (ALLEA) me seli në Salcburg. Anëtar i përhershëm i komitetit të ALLEAS për projekte shkencore u zgjodh në vitin 2015. N. Daci ka qenë aktiv në jetën politike dhe institucionale të Kosovës: në periudhën 2001–2011 u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës dhe në vitet 2001–2006 ishte kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i saj.
Veprimtaria e tij shkencore përmban punime shkencore të publikuara në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, projekte shkencore, elaborate, kumtesa, tekste universitare etj. Veçohen punimet shkencore mbi strukturën e substancës organike të qymyrit të Kosovës, pastaj të përbërësve inorganikë të qymyrit, të analizave të ndryshme të hirit nga termocentralet dhe punime shkencore nga fusha e mbrojtjes së mjedisit, veçmas të ujërave të liqeneve akumuluese dhe të disa lumenjve të Kosovës. Ishte bartës ose pjesëmarrës në shumë projekte shkencore nga fusha e mbrojtjes së mjedisit. Udhëhoqi projektin shkencor të ASHAK-ut “Identifikimi i ndotësve të efluentëve të ujërave urbane dhe të industrisë dhe trajtimi i tyre” (2012–2014) dhe projektin për kadastrin e këtyre ndotësve e trajtimin e tyre. Është autor i teksteve universitare dhe monografive (“Kimia organike”, “Struktura e substancave organike të qymyrit të Kosovës”), si dhe bashkautor i një studimi në botimin “Kimia për mbrojtjen e mjedisit” (Elsevier, Amsterdam, Nju-Jork, Oksford, 1987). Është bashkautor i studimit monografik.
