Edhe një dështim për rastin “Pulse”. Në seancën e sotme, pas disa kundërshtimeve nga mbrojtja, gjykatësi iu drejtua të pranishmëve dhe konfirmoi se provat që po paraqiten sot në seancën kryesore nuk ndodhen fare në sallën e gjyqit dhe as nuk janë fizikisht të qasshme për trupin gjykues, gjyqtarët dhe porotën. Sipas sqarimit, provat ndodhen në një objekt tjetër, për çka mbrojtja nuk ka mundësi të verifikojë drejtpërdrejt se cila provë po paraqitet, për çfarë bëhet fjalë dhe nëse ajo është në formën origjinale.
Mbrojtja theksoi se në këtë mënyrë cenohet e drejta themelore për qasje të drejtpërdrejtë në provat që prezantohen në seancë. Gjithashtu u potencua se as vetë trupi gjykues dhe gjyqtarët-porotë nuk kanë mundësi të verifikojnë drejtpërdrejt nëse provat e paraqitura janë origjinale dhe nëse përmbajtja e tyre përputhet plotësisht me atë që paraqet prokurori publik në ekran.
Sipas mbrojtjes, gjatë paraqitjes së provave ato duhet të jenë fizikisht të disponueshme para gjykatës dhe palëve në procedurë, me qëllim sigurimin e transparencës dhe verifikimit të plotë procedural.
Si arsye pse provat nuk ndodhen në sallën e gjyqit, gjykatësi përmendi çështje sigurie, përkatësisht se nuk ishte e sigurt që ato të ruheshin në objektin ku po zhvillohet gjykimi. Megjithatë, mbrojtja vlerësoi se ky arsyetim nuk e heq obligimin që provat të jenë të siguruara dhe të qasshme për shqyrtim të drejtpërdrejtë gjatë seancës.
Sipas vërejtjeve të paraqitura, gjatë seancës po prezantohen materiale të skanuara dhe fotokopje, pa mundësi që gjykata dhe mbrojtja të verifikojnë drejtpërdrejt autenticitetin dhe origjinalitetin e tyre.
