Pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve të kontrollit të ftohjes në supermarketet italiane dhe kompanitë e tjera të industrisë ushqimore, qeveria italiane do të mbajë sot një mbledhje urgjente, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe shërbimeve të inteligjencës.
Sulme janë raportuar në gjashtë dyqane në Sicili, si dhe në një kompani të sektorit të hotelerisë dhe gastronomisë në Toskanë dhe te një prodhues i ushqimeve të ngrira në Emilia-Romanja.
Sulmet në Itali vijnë pas incidenteve të ngjashme në Belgjikë, Suedi, Luksemburg, Holandë, Finlandë, Irlandë dhe Estoni, ku hakerët kanë ndryshuar nga distanca temperaturat e sistemeve të ftohjes, të cilat kanë arritur deri në 50 gradë Celsius.
Agjencia Kombëtare Italiane për Sigurinë Kibernetike u ka bërë thirrje operatorëve në sektorët e shitjes me pakicë dhe logjistikës ushqimore që të kontrollojnë nëse sistemet e tyre të kontrollit dhe mbështetjes në distancë janë të ekspozuara në internet dhe, nëse është e nevojshme, t’i izolojnë ato nga rrjetet e brendshme të kompanive.
Masat e rekomanduara përfshijnë forcimin e qasjes në distancë përmes VPN-së dhe autentifikimit me shumë faktorë, monitorimin e llogarive të përdoruesve me privilegje të larta, si dhe përditësimin e pajisjeve për të cilat nuk ofrohet më mbështetje teknike.
