Qytetarë të shumtë e zyrtarë komunal për nder të “Ditës së Krenarisë”, po bëjnë homazhe të varrezat e dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, për të nderuar veprën dhe sakrificën e bërë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Udhëheqja e Komunës së Prishtinës ka vlerësuar se duhet të nderohen të gjithë ata që ranë për liri dhe pavarësi.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti pasi ka vënë kurora lulesh tek varrezat e dëshmorëve dhe shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti, tha se ndihen krenarë që gjendën në sheshin me emrin e njërit prej të parëve që ishte bashkuar në UÇK.
Kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se shumë shpejt komuna do të bëjë rregullimin e varrezave të dëshmorëve.
Homazhe për të nderuar dëshmorët e kombit kanë bërë edhe zyrtarë të opozitës në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Kryetari i PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj tha se as qeverisja e kaluar e as kjo e tanishmja, nuk janë duke bërë asgjë për dëshmorët, duke thënë se mbetet shqetësuese gjendja e varrezave të dëshmorëve.
Megjithatë, ai shoti se sot aq sa është ditë krenarie, ashtu është edhe ditë dhimbje sepse ata mungojnë në mesin e tyre, por në anën tjetër edhe i bëjnë krenarë që i njohën dhe u janë falënderues për sakrificën e tyre që bënë për hir të brezave të ardhshëm.
Komuna e Prishtinës bashkë me organizatën e dala nga lufta e UÇK-së do të organizojnë aktivitete të ndryshme deri më 23 prill, për ndër të dëshmorëve.
