NATO nuk do të përshihet në luftën në Ukrainë! Blinken: Ne nuk nxisim konflikt, por nëse konflikti vjen, jemi gati

TË FUNDIT

Sekretari i përgjithshëm i NATO-S, Jens Stoltenberg edhe njëherë theksoi se Aleanca Veri-Atlantike nuk do të përshihet në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë. Stoltenberg tha se do të vazhdojë ndihma financiare dhe ndihma të tjera, por NATO nuk do të ketë ndërhyrje në Ukrainë.

“Çfarë po ndodh tani në Ukrainë është e tmerrshme dhe e dhimbshme. Po shohim vuajtjet e njerëzve dhe shkatërrime të shkallës të cilat nuk i kemi parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne kemi dërguar mbështetje financiare për Ukrainën dhe do vazhdojmë ta bëjmë. Ne po japim mbështetjen tonë dhe aleatët e NATO-s kanë ndërmarrë sanksionet më të forta ndonjëherë dhe i kemi kërkuar Rusisë dhe Putinit ta ndalojë luftën”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

I pyetur nga gazetarët, se a ka ndonjë plan “B” nëse Putini nuk tërhiqet dhe nuk e ka ndërmend të ndalë pushtimin e Ukrainës, Stoltenberg tha se i kanë treguar Putinit se nëse përfshihet akoma më shumë, do të paguajë akoma më shumë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shtoi se Aleanca nuk po kërkon konflikt, megjithatë NATO do t’i mbrojë aleatët dhe territorin e saj kundër ndonjë sulmi rus.

 “Çdo aleat në një mënyrë ose tjetër po i vjen në ndihmë Ukrainës, çdo aleat në një mënyrë ose tjetër po ndihmon në përforcimin e vet NATO-s. Aleanca jonë është aleancë mbrojtëse, ne nuk nxisim konflikt, por nëse konflikti vjen te ne, ne jemi gati për të dhe do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, deklaroi Antony Blinken, sekretar i SHBA-ve.

NATO kërkon nga Rusia që t’i tërheqë trupat e saj nga Ukraina dhe të shkojë drejt një zgjidhjeje diplomatike.