Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO në takimin e jashtëzakonshëm shprehën mbështetje për vendet që mund të jenë në rrezik si Bosnja Hercegovina, Gjeorgjia dhe Moldavia. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se këto vende kanë rreziqe të ndryshme, andaj edhe u duhet mbështetje e natyrave të ndryshme.
“Këto janë vende të ndryshme dhe ballafaqohen me rreziqe dhe sfida të ndryshme. Por atë që kanë të përbashkët është se kemi parë që Rusia të ushtrojë forcën e saj për t’i frikësuar, pjesërisht me ndërhyrje në politikat e tyre ose me pushtim ushtarak”, theksoi Jens Stoltenberg, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Stoltenberg tha se detyra e Aleancës Veri-atlantike është që të parandalojë përhapjen e luftës në vende tjera të Evropës, duke shtuar se ajo që po shohim në Ukrainë është tmerruese.
“Ne kemi përgjegjësinë si NATO të parandalojmë që kjo luftë të eskalojë përtej Ukrainës, sepse kjo do të jetë edhe më e rrezikshme, shkatërruese dhe do të shkaktojë edhe më shumë humbje jete. Ne nuk do të lëvizim drejtë Ukrainës, as me forca në hapësirën ajrore dhe as në tokë. Nëse ne e bëjmë këtë do të shkaktojmë luftë në gjithë Evropën”, pohoi Jens Stoltenberg, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s
Ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, shprehu mbështetjen e Maqedonisë së Veriut ndaj Ukrainës, ndërsa theksoi edhe nevojën për zgjerim të shpejtë të BE-së për çështje sigurie.
“Ne jemi të bashkuar në dënimin e luftës së Putinit. Ne kemi vendosur sanksione thelbësore dhe Rusia është e izoluar. Votimi i fundit në OKB tregoi se bota është e bashkuar kundër luftës që ka zgjedhur Putini. Së dyti, ne jemi të bashkuar në solidaritetin tonë me Ukrainën, guximi i tyre është mbresëlënës dhe vendosmëria e tyre ende për zgjidhje paqësore është për t’u respektuar”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Në takimin e jashtëzakonshëm të NATO-s është diskutuar për situatën aktuale në Ukrainë pas pushtimit ushtarak rus dhe pasojat mbi sigurinë euroatlantike. Gjithashtu, u diskutua për masat dhe aktivitetet që i ndërmerr Aleanca për mbrojtjen e territorit dhe garantimin e sigurisë së të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, si dhe mbështetjen për Ukrainën.
