Na pret dimri më i keq pas Luftës së Dytë Botërore. Aktualisht po bëjmë çmos për të siguruar furnizim të pandërprerë me energji elektrike dhe për të siguruar të gjitha lëndët e para për prodhimin e energjisë elektrike. Të gjitha vendet fqinje po bëjnë të njëjtën gjë, që do të thotë se një blerje kaq masive e lëndëve të para për prodhimin e energjisë elektrike sigurisht që do të ndikojë në rritjen e çmimeve, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës në ISHP NIKOB Medikal dhe NIKOB Lab në kuadër të të Grupacionit NIKOB.
Sipas kryeministrit, se si do të jetë dimri do të varet shumë nga zhvillimet në Ukrainë.
“Nëse armiqësitë vazhdojnë, atëherë ndoshta efektet negative të asaj lufte do të jenë edhe më të forta për Evropën dhe për rajonin tonë në tërësi. Ky do të jetë dimri më i vështirë për gjeneratën tonë, por edhe për gjeneratat më të vjetra se ne”, shtoi Kovaçevski.
Ai ritheksoi se me ribalancin sigurohen mjete që duhet të jenë tampon për masa shtesë për mbrojtjen e kategorive më të rrezikuara të qytetarëve.
“EMV tashmë ka njoftuar se është duke finalizuar një kredi nga Banka Evropiane në vlerë prej 100 milionë euro me kushte shumë të favorshme me interes deri në një për qind, e cila do të sigurojë funksionimin e pandërprerë të EMV-së. Kur flasim për rezultatin financiar të EMV-së, atëherë në një fjalim publik thashë se nëse nuk është marrë vendim nga Qeveria që të subvencionohet çmimi i energjisë elektrike që paguajnë qytetarët, dhe ne aktualisht subvencionojmë 80 për qind të çmimit të energjisë elektrike që e paguajnë qytetarët dhe konsumatorët e vegjël, atëherë EMV nuk do të kishte humbje dhe ndoshta nëse do t’i shiste me çmime të tregut të cilat janë të mëdha dhe të cilat nëse do t’i shiste me çmime të tregut do të shkaktonte një goditje çmimi për qytetarët, çmime të cilat ndoshta nuk do të ishin në gjendje t’i mbulonin, atëherë EMV me siguri këtë vit do ta përfundonte me 200 milionë fitim”, theksoi Kovaçevski.
