Pasi vendi ka zgjidhur çështjet e vështira që ka pasur, Presidneti Stevo Pendarovski tani pret që Bashkimi Evropian të bëjë punën e saj duke i dhënë Maqedonisë së Veriut datë për nisje bisedimesh, e një vendim i tillë sipas tij do të ishte test edhe i kredibilitetit të politikës së Unionit për zgjerim.
“Çdo shtyrje e bisedimeve do të rrënojë kredibilitetin e Bashkimit Evropian, do t’i demotivojë qytetarët, do ta ngadalësojë procesin e reformave dhe do të ndikojë negativisht në stabilitetin e rajonit. Mënyra e vetme që të ndalohen ndikimet kancerogjene gjeopolitike në rajonin tonë është vazhdimi i politikës së zgjerimit të BE-së dhe NATO-s”, tha Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani integrimin e Ballkanit Perëndimor në union nuk e sheh si zgjerim por konsolidim të Evropës.
“Anëtarësimi i Ballkanit perëndimor në BE nuk paraqet zgjerim por konsolidim të kontinentit dhe përmbyllje e integrimit të vazhdueshëm të vendit”, u shpreh Bujar Osmani zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
Frika se Maqedonia e Veriut nuk do të marrë datë në Samitin që do të mbahet në qershor, e ka bërë ish-Presidentin Branko Cërvenkovksi të dyshojë se vendet anëtare të BE-së nuk kanë besim në raportet e Komisionit Evropian që vetë e kanë zgjedhur.
“Mos marrja e datës për nisje bisedimesh ne qershor, ose korrik le të jetë, do të shkaktojë zhgënjim të madh, dhe këtë hapur dua të them, rrënim serioz të kredibilitetit të Bashkimit Evropian dhe të Qeverisë, në sytë e popullit dhe gjithë qytetarëve të vendit tonë”, theksoi ish presidenti i Maqedonisë së Veriut Branko Cërvenkovski.
Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duhet t’i njihen arritjet e bëra, përndryshe sipas ish-Presidentit shqiptar Alfred Mojsiu, nevojat ekonomike do t’i orientojnë vendet drejt forcave të tjera si ato ruse apo kineze.
“Çfarë do të bëhet? Në fund të fundit interesat janë interesa, njerëzit kërkojnë të zhvillojnë, ekonomia kërkon të ecë përpara dhe sigurisht drejtuesit politikë do të gjejnë pastaj mënyra dhe rrugë për t’i kapërcyer këto vështirësi. Drejtuesit e Bashkimit Evropian nuk duhet ta lejojnë më tej këtë punë”, u shpreh ish presidenti i Shqipërisë Alfred Mojsiu.
Edhe ish-liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor të cilët ishin pjesë e konferencës rajonale me temë “Zgjerimi i Bashkimit Evropian në udhëkryq” shprehën mendimin e tyre se tani është koha që Bashkimi Evropian t’ia hapë derën e bisedimeve vendeve që kanë bërë përparime në reforma dhe zgjidhje kontestesh.
Përgatiti: Besir Arifi
