Myslimanët përgatiten për muajin Ramazan, Rexhepi: Fatkeqësi që ky Ramazan po qëllon në kohë delikate për njerëzimin

TË FUNDIT

Nesër është dita e parë e muajit Ramazan.                                                              Besimtarët mysliman po bëhen gati për këtë muaj të agjërimit.                                    Tregu i Bit Pazarit në mesditë ishte i mbushur përplot me njerëz, të cilët kishin dalë për të blerë ushqime.

Qytetar i Shkupit: “Ramazani është një gjë që njeriu lehtësohet, jo që ngarkohet, hanë më pak dhe e ka vaktin e vet. Koha është e mirë, ne  kemi agjëruar në temperatura në 40 grade  kur ishte nxehtë,  tani që është më freskët më mirë ramazani është shëndet”.

Qytetar i Shkupit: “Po kismet po bëhemi gati për muajin e ramazanit, Zoti kabull gjithë myslimanëve por edhe neve. Me sa shoh unë këtu janë po ato çmime nuk ka ndryshime”.

Por kësaj radhe muaj i shenjtë vjen në një kohë pandemie kur njerëzimi po lufton virusin Covid-19.                                                                                                                Kreu i Bashkësisë fetare Islame Sulejman ef. Rexhepi apeloi të respektohen parimet islame dhe ato që thonë mjekët lidhur me pandeminë. Sipas tij çdo xhami për çdo ditë në kohën e drekës do të këndohet nga një mukabele.

Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së:

“Ramazani edhe në këto ditë të vështira do t’i gëzojë zemrat tona, kurse agjërimi mbetet obligim i çdo besimtari që është i shëndoshë fizikisht e psikikisht, si dhe i gjithë atyre që nuk janë udhëtarë. Nga xhamitë tona do të vazhdon të dëgjohet Ezani, si gjithmonë, dhe kandilat do të ndriçojnë me tërë bukurinë e tyre. Të gjitha myftinitë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut tanimë kanë marrë obligimin të organizojnë ligjërata të ndryshme fetare nëpër mediat e vendit, kurse në çdo xhami për çdo ditë në kohën e drekës do të këndohet nga një mukabele. Ramazani do të jetë i bukur si përherë, pa marrë parasysh nëse situata e krijuar na detyron të falim namazet, kushtuar Allahut (xh. sh.), nëpër shtëpitë tona”.

Agjërimi në Islam është ushtrimi i vetëpërmbajtjes ndaj ushqimit dhe pijes. Agjërimi në muajin e Ramazanit është e katërta nga Pesë Shtyllat e Islamit. Besimtarët mysliman do të agjërojnë çdo ditë deri më 23 maj, ndërsa me 24 maj festohet festa e Fitër Bajramit.