Mustafa me Lunacek për liberalizimin e vizave

TË FUNDIT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim europarlamentaren Ulrike Lunacek, në bisedë me të cilën ka theksuar përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës në proceset eurointegruese, njoftoi kabineti i kryeministrit.

Kryeministri Mustafa, thuhet në komunikatë, e ka njoftuar Lunacek për progresin e vazhdueshëm që po arrihet në Kosovë, duke theksuar prioritetet e Qeverisë së Kosovës, që kanë për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, agjendën evropiane, reformat thelbësore në arsim dhe në shëndetësinë bashkëkohore.

Kryeministri ka veçuar rëndësinë që ka për Kosovën nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Europarlamentarja Lunacek ka vlerësuar progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e saj të mëtutjeshme për Kosovën.

Mustafa dhe Lunacek kanë biseduan edhe për proceset që lidhen me njohjen e Kosovës nga 5 vendet e mbetura të BE-së, përafrimin e Kosovës me ligjet dhe me standardet e BE-së, si dhe tema të tjera të rëndësishme./21 Media/