Para Ministrisë së Arsimit i hodhën çanta të zbrazura, ndërsa mbi to mbishkrime si “Mos ma mbush çantën e shpinës me injorancë” ose “Ministër ti e merr rrogën por punën nuk e bën”
Në këtë formë opozitarja Aleanca për Shqiptarët reagoi sot për mungesës së teksteve shkollore, ndërsa institucionin e quajtën “Ministria për shkatërrimin e arsimit”.
“Kemi dëgjuar ditëve të fundit Ministrin e Arsimit se si arsyetohet se problemi qenka i vjetër dhe jo i sotshëm. Rikujtojmë ministrit se pjesa më e madhe e kolegëve të tij kanë qenë pikërisht nga e njëjta parti BDI, dhe e dyta puna e Ministrit nuk është që të luajë rolin e fallxhorit apo rrëfyesit të përrallave apo ciceroneve nëpër muze dhe të na tregojë se sa i vjetër qenka problemi”, tha Arben Zeqiri, zëdhënës Aleanca për Shqiptarët.
Pas kësaj, në të njëjtin vend para hyrjes së ndërtesës ku gjendet Ministria e Arsimit doli për të folur vetë Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, i cili ripërsëriti se “problemi me librat nuk filloi nga janari” por është më i hershëm.
“Sa i takon asaj që kam thënë për muajin tetor dhe nëntor, unë në këtë kohë që nxënësit të mos harxhojnë nga buxheti i tyre, fëmijët e klasës së parë, të dytë, të katërt dhe të pestë, që të mos i printojnë materialet, që kanë mbështetur materialet e printuara, ato janë siguruar më 1 shtator me buxhet shkollor. Ka institucione të cilat nuk kanë dorëzuar të dhënat elektronike të sakta deri në ministrin, në momentin që nuk është në fajin e Ministrisë që ka mungesë që janë me numra të caktuara nëpër shkolla të caktuara, por jemi përgjigjur dhe kërkesës kur na ka ardhur ankesa kemi dorëzuar përsëri materiale”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
I pyetur se kur duhet pritur zgjidhja, Shaqiri nuk dha afat konkret por tha se po bëhen libra të rinj për 30% të programit mësimor të arsimit fillor dhe sapo Këshilli Nacional të përfundojë me këtë procedurë do të ulen që të bëjnë zgjidhjet ligjore për lehtësim për procedurat administrative.
