Hong-Kongu ka qenë një dritare e rëndësishme dhe urë që lidh pjesën kontinentale të Kinës me pjesët e tjera të botës dhe ka dhënë kontribut të pazëvendësueshëm për zhvillimin afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të shpejtë ekonomik të Kinës, tha presidenti kinez Xi Jinping ( lexohet Shi Gjinpin) të premten.
Duke folur në mitingun për festimet e organizuara në Hong-Kong , kreu i shtetit kinez vuri në dukje gjithashtu se gjatë 25 vjetëve të fundit, politika “Një vend, dy sisteme” ka arritur suksese të njohura botërisht.
Rajoni ka përballuar të gjitha llojet e sfidave dhe ka ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme.

Xi ( lexohet Shi ) vuri në dukje gjithashtu se ruajtja e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit të Kinës është parimi suprem i kësaj politike, e cila garanton që Hong-Kongu dhe Makaoja të ruajnë sistemin e mëparshëm kapitalist për një kohë të gjatë dhe të gëzojnë një shkallë të lartë autonomie.
Duke përmendur pozicionin dhe epërsitë e veçanta të Hong-Kongut, Xi Jinping-u( lexohet Shi Gjinpin ) theksoi se ka hapësirë të gjerë për zhvillimin e rajonit.

Tregtia ndërmjet Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR) dhe pjesës kontinentale të Kinës është shtuar më shumë se gjashtëfish krahasuar me 25 vjet më parë.
Nga viti 1997 deri vjet, vlera e tregtisë midis Hong-Kongut dhe pjesës kontinentale u rrit 6.1 herë, duke shkuar nga 50.77 miliardë në 360.33 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje mesatare vjetore prej 8.5 %. Hong-Kongu është bërë një pjesëmarrës i rëndësishëm në qarkullimin e brendshëm dhe luan një rol kyç në lidhjen e qarkullimit të brendshëm me atë të jashtëm.
Gjatë dy vjetëve të fundit, edhe Hong-Kongu është goditur rëndë nga kriza globale e shëndetit publik e pandemisë së COVID-19, veçanërisht nga vala e pestë e saj në fillim të këtij viti. Por ndërsa epidemia u përhap edhe në pjesën kontinentale, qeveria qendrore, si dhe provincat e pjesës kontinentale, bënë të gjitha përpjekjet për të dërguar ekspertë dhe ekipe të ndihmës mjekësore në Hong-Kong.

Mbështetja e tyre ka forcuar ndjeshëm luftën antiepidemike të Hong-Kongut për uljen e numrit të rasteve të rënda dhe vdekjeve, dhe gjithashtu ka lehtësuar trysninë mbi spitalet publike në kulmin e epidemisë.
Pasuritë e Hong-Kongut kanë ndikuar aktivisht në jetesën e qytetarëve. Që nga viti 1997 deri sot, të ardhurat mesatare për frymë të hongkongasve janë shtuar dy herë, ndërsa PBB-ja u rrit në 2.86 trilionë dollarë hongkongas në vitin 2021, nga 1.37 trilionë dollarë që ishte në vitin 1997.
