Një mundës egjiptian shpreson të thyejë rekordin botëror duke zvarritur në port një anije 700 tonëshe, të cilën e kishte lidhur me një litar te dhëmbët.
Ky është 44-vjeçari Ashraf Makhrous i cili e tërhoqi anijen në portin e Hurghadës, Egjipt, në Detin e Kuq. Mahrous, me nofkën “Kambonga”, më pas tërhoqi së bashku në të njëjtën mënyrë dy anije që peshonin rreth 1,150 ton.
“Sot, erdha për të thyer rekordin botëror. I arrita të dyja, falë Zotit, për t’u provuar miqve të mi dhe të gjithë botës se Zoti më bekoi të jem njeriu më i fortë në botë”, tha Mahrous.
“Burri i fortë” i Egjiptit tha se do t’i dërgojë video dhe foto të përpjekjes së tij Librit të Rekordeve Guinness për të parë nëse ka thyer ndonjë rekord të ri, pasi rekordi aktual është një anije 614 tonëshe e vendosur në vitin 2018.
Në mars, Mahrous tërhoqi një tren 279 tonësh të lidhur me dhëmbë në një litar për gati 10 metra, një veprim i njohur zyrtarisht nga Libri i Rekordeve Guinness.
Tre vjet më parë, ai ishte bërë i famshëm për tërheqjen me dhëmbë të një kamioni 15,730 kilogramësh.
Për ta arritur këtë, mundësi stërvitej gjashtë orë në ditë, ndërkohë që ndiqte edhe një dietë të pasur me proteina dhe hekur, e cila përfshinte të paktën dymbëdhjetë vezë, dy pula të plota dhe 5 kilogramë peshk.
Ai thotë se nuk merr suplemente, por ha, fle dhe ushtrohet të paktën dy herë në ditë. Mahrous, i cili është 1.9 metra i gjatë dhe peshon 155 kg, tha se e zbuloi forcën e tij në moshën nëntë vjeç kur filloi ta përdorte atë për jetesë.
Duke u rritur, ai i donte sportet dhe u stërvit në kung fu, kikbox dhe themeloi një ekip mundjeje në Kajro.
Ai u inkurajua të thyente rekordin botëror nga miqtë, të cilët e panë duke rrotulluar me lehtësi goma gjigante në oborrin e palestrës dhe duke shtyrë një makinë vetëm duke përdorur një gisht.