Muaji i kaluar është nëntori më i ngrohtë i regjistruar deri më tani

TË FUNDIT

Nëntori i sivjetmë ishte nëntori më i ngrohtë i regjistruar deri më tani, kumtoi sot shërbimi evropian për ndryshime klimatike “Kopernikus”.

Siç theksohet, temperaturat muajin e kaluar kanë qenë mbi mesataren në një pjesë të Evropës Veriore, Siberi dhe Oqeanin e Ngrirë Verior, ku akulli detar ka qenë në nivelin më të ulët deri më tani për nëntorin.

Në SHBA, Amerikën e Jugut, Afrikën e Jugut, Tibet, Antartikun lindor dhe pjesën më të madhe të Australisë, gjithashtu, janë vërejtur temperatura dukshëm mbi mesataren.

Në nivel global, nëntori ka qenë thuajse 0,8 gradë Celsius më i ngrohtë se mesatarja për periudhën 1981-2010.