Mrekulli botërore në Palermo, tragjedi për Italinë, fitore epike e Maqedonisë, kampionati evropian i “tronditur”, Maqedonia e eliminoi Italinë. Këto janë vetëm disa nga shkrimet në ballinat e mediave t; sportit në Evropë, por edhe në botë. Fitorja 1 me 0 e përfaqësueses së Maqedonisë në Palermo kundër Italisë po shihet si një “mrekulli botërore”.
Vetëm tifozët më të mëdhenj besonin se do të arrinim sukses, kurse të tjerët shpresonin se mund të ndodhë ndonjë befasi. Rastësisht apo jo, fitorja mbi Italinë vjen një vit pas suksesit të madh kundër Gjermanisë me rezultat 2 me 1, e cila na mundësoi këtë garë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror. Në mars të vitit të kaluar, Përfaqësuesja e Maqedonisë, mposhti edhe një gjigant në futboll – Gjermaninë.
“Ende jam në nok-daun. Nuk e di, me të vërtetë nuk e di çka ndodhi, vetëm e di se në mes të Italisë ishte mposhtur një kampion botëror. Besoni ose jo, por ashtu është. Shpresoj se edhe unë do të mirëpritem në Shkup në një shesh të mbushur me njerëz“, tha Stefan Ristovski, kapiten i përfaqësueses.
Gazetari: Stefan të vazhdojmë. Luajte në Itali, e mposhtëm Italinë. Luajte edhe në Portugali, a do ta mposhtim edhe Portugalinë?
-Më besoni se do t’i mundim…
“Dy goditje një gol, sinqerisht taktika nuk ishte e tillë, të kemi vetëm dy goditje. Mbi të gjitha, urime për Italinë për gjithçka që tregoi dhe bëri në Kampionatin Evropian, por siç thashë edhe para ndeshjes, Maqedonia ndoshta është një shtet i vogël, por me zemër të madhe dhe mentalitet të fortë. Këtë më së miri e treguan djemtë tanë“, theksoi Bllagoja Milevski, trajner.
Tani, futbollistët do të pushojnë disa ditë, pas çka të martën do ta luajnë duelin final kundër Portugalisë për kualifikim në Kampionatin Botëror në Katar. Për këtë ndeshje do të kthehen Elif Elmasi dhe Kostadinovi, të cilët nuk ishin pjesë e lojës me Italinë.
