Incidenti në Kuvend ndez reagime! Opozita kërkon hetim për sjelljen e Ivan Stoilkoviqit

TË FUNDIT

Incidenti verbal gjatë pauzës së seancës së djeshme në kuvend ka nxitur reagime në opinion, pasi zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq ka ofenduar dhe denigruar me fjalor fyes deputetët e opozitës. Pjesë e këtij sulmi verbal ka qenë edhe deputetja e BDI-së Arbana Pasholli sipas së cilës sjellja e Stoilkoviqit ishte e papranueshme dhe se sulmi nuk kishte në shënjestër vetëm atë si deputete, por prek edhe dinjitetin e grave në politikë.

“Dua të di: Në botën e zhvilluar perëndimore dhe në demokracitë e konsoliduara, si veprohet në raste të tilla? A konsiderohet kjo sjellje e pranueshme për një funksionar publik, apo pason reagim i menjëhershëm dhe kërkim i përgjegjësisë?”, tha Arbana Pasholli

Ndaj sjelljes së Stoilkoviqit ashpër reagoi deputeti i ASH-së Rijad Shaqiri duke e quajtur idiot në katror.

“Me vet faktin se këso lloj idiotësh vijnë këtu dhe ofendojnë dhe mundohen të tregtojnë forcë këtu shumë gabim e kanë, nëse dikush në atë formë mundohet paraqitet para nesh shumë gabim e kanë. Për atë kategori të njerëzve me reciprocitet do të përgjigjemi ashtu si reagojnë ashtu do të përgjigjemi”, deklaroi Rijad Shaqiri.

Deputetja e BDI-së Rina Ajdari kërkoi nga Kryeministri që ta heq nga rendi i ditës votimin e Stoilkoviqit për ministër, njëkohësisht edhe të kërkoj falje publike.

“Kryeministri duhet të ndërmarr hapa që të distancohet nga Ivan Stolilkoviq. 1-05 -1 58 Edhe njëherë kryetar, fyerja ju drejtua opozitës këtu kemi shumë deputet shqiptar edhe ne u ndjehemi të ofenduar se na u drejtua neve në klubin e deputetëve. Dhe nuk e di se si deputet e VLEN-it do të rijnë në këtëp sallë dhe ta votojnë atë si ministër për shkak se ai me atë ofendim ai ka ofenduar edhe ato 107 mijë vota shqiptare”, u shpreh Rina Ajdari.

Në vend të Stolikoviqit falje deputeteve ju kërkoi kryeministri i vendit Hristian Mickoski.

“Si kryetar i Qeverisë, dua t’ju kërkoj falje juve, deputetëve dhe qytetarëve, që sot ishim dëshmitarë të këtyre ngjarjeve dhe shpresoj që kjo të mos na përsëritet kurrë më”, deklaroi Hristijan Mickoski.

Kërkim falja e Mickoskit erdhi pasi edhe grupi parlamentar i LSDM-së akuzoi Stoilkoviqin se kishte drejtuar fyerje edhe ndaj deputetëve të tyre, Fatmir Bytyqit dhe Mitko Trajçulleskit. Megjithatë, kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, kaosin e djeshëm në Kuvend e cilëson si teatër për të mbuluar dështimin e plotë të Qeverisë.

“Dje ai krijoi kaos për të fshehur paaftësinë e tij, faktin që Qeveria nuk ka absolutisht asnjë rezultat në asnjë segment të funksionimit dhe po përpiqet të krijojë një alibi për zgjedhje të parakohshme, sepse kishte thënë se nuk do të ketë. Tani atij i duhet me dëshpërim një alibi”, tha Venko Filipçe.

Grupi parlamentar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë ka kërkuar që t’i dorëzohen video-incizimet nga seanca numër 112 e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe pamjet nga hapësira para hollit të sallës “Maqedonia”, për periudhën kohore nga ora 17:00 deri në 19:00. Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, LSDM kërkon sigurimin e incizimeve për të pasur një pasqyrë të plotë lidhur me incidentin e shkaktuar nga ministri Ivan Stoilkoviq. Opozita kritikoi edhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi me të cilin siç thonë ishin dakorduar që të miratohej një konkluzion me të cilin do të dënohej sjellja e Stoilkoviqit, por një hap i tillë nuk u realizua dhe për mungesë reagimi dhe në shenjë revolte, deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët braktisën seancën para votimit për ministrat e rinj.