Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme po merr pjesë në panairin dhe konferencën ndërkombëtare SAHA Expo 2026, që po mbahet në Stamboll. Gjatë kësaj vizite, delegacioni realizoi një takim pune me zëvendësdrejtorin e policisë turke, Mustafa Çalıshkan, ku gjatë këtij takimi në fokus ishte lufta kundër krimit të organizuar, kontrabandimit të emigrantëve dhe përballjes me sfidat bashkëkohore të sigurisë.
Siç ka bërë të ditur MBP, u diskutua që të ketë njohje reciproke dhe shkëmbimin e lejeve të drejtimit, si dhe përgatitjet për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e sigurisë.
“Në takim u diskutua edhe për aktivitetet aktuale bilaterale ndërmjet dy vendeve, ku u theksua përparimi në harmonizimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke dhe shkëmbimin e lejeve të drejtimit, si dhe përgatitjet për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e sigurisë. Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e avancimit të bashkëpunimit në fushën e trajnimit dhe edukimit, përmes Memorandumit të Mirëkuptimit të propozuar ndërmjet Akademisë Kombëtare Policore të Turqisë dhe Qendrës për Trajnim Policor.
Pjesëmarrja në SAHA Expo 2026 paraqet një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e sigurisë, industrisë së mbrojtjes dhe zgjidhjeve moderne teknologjike, me qëllim avancimin e kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftimin e MBP-së.
